Ngjarja e rëndë në Itali, ku protagonist ishin shqiptarët, ka prekur zemrat e italianëve të cilët janë bërë bashkë për të ndihmuar këtë familje. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur pak kohë më parë kur shqiptari Taulant Malaj vrau me thikë disa herë vajzën e tij, komshiun dhe plagosi gruan. Në ditët pas vrasjes së dyfishtë, avokati që ndihmonte gruan, Michele Sodrio, kishte kontaktuar edhe me Bashkinë e Torremaggiore për të kërkuar ndihmë financiare për Teftën dhe fëmijën e saj.
Për këtë arsye, italianët kanë nisur mbledhje fondesh për Tefta Malajn dhe djalin e saj 5-vjeçar, të vetmit të mbijetuar.
Fushata ka nisur në Torremaggiore, në zonën e Foggia-s, nga disa qytetarë për të ndihmuar 39-vjeçaren shqiptare që i mbijetoi masakrës së kryer në shtëpinë ku jetonte me familjen e saj, raportojnë mediat italiane.
Tefta dhe familja e saj jetonin prej shumë vitesh në Itali, por me origjinë ishin nga fshatrat e Vlorës. E gjithë ngjarja ndodhi pasi Taulant Malaj dyshonte se gruaja e tradhtonte me fqinjin 51-vjeçar Massimo De Santis. Ai vrau vajzën Xhesika 16-vjeçare, me qëllim që të lëndonte gruan e të shihte vdekjen e fëmijës.