Sot pritet të konstituohet grupi i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar votash si dhe ligjet e nevojshme për rrugëtimin në Bashkimin Evropian. Mbledhja pritet të nisë pas pak në sallën e Komisionit parlamentar të Ligjeve. Sipas marrëveshjes mes palëve ky grup do të ketë 3 anëtarë nga opozita dhe 3 nga mazhoranca.
Nga Partia Socialiste anëtar janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Toni Gogu. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi ka njoftuar më herët publikisht se anëtarët e opozitës do të jenë Oerd Bylykbashi dhe Erisa Xhixho nga Partia e Lirisë, ndërsa vendi i tretë i është ofruar grupimit të deputetëve të PD-së që mbështesin Lulzim Basha. Në rast se Basha nuk pranon, ashtu siç e ka bërë të ditur publikisht, atëherë anëtare zëvendësuese është Dhurata Çupin.
Ky grup pritet të marrë vendime me konsensus për ligjet që duan 84 vota, përfshirë Reformën Zgjedhore, për të shkuar drejt votimit në parlament, me dakordësinë e palëve.