Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtuan sot punimet e Samitit “Ukrainë-Europa Juglindore”. Në nisje të seancës, Kryeministri Rama dhe më pas Presidenti i Ukrainës Zelenskyy u adresuan me një fjalë. Pas samitit ata dolen në konferencë.
“Jemi e do vijojmë të jemi krah Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme e të ndodhë një paqe që do të zgjasë. Ndalja e dhënies së armëve Ukrainës do të sjellë paqen por kjo është cinike. Nuk e ndal luftën duke çarmatosur viktimën por duke ndalur agresorin. Ukraina meriton të mbështetet e të ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme për ti rezistuar dhe siguruar çdo paqe që do të vijë pas kësaj lufte të jetë e drejtë dhe mbështetet në parimet e planit 10 pikësh të Zelenskyt”, tha kryeministri Edi Rama.
Në një zë edhe presidenti Zelensky duke falenderuar Shqipërinë për organizimin e samtiti tha se regjimi i Putinit duhet të humbasë dhe se dështimet e tij janë siguria e Ukrainës. Më tej Zelensky ftoi liderët e Ballkanit Perëndimor për organizimin e një forumi të përbashkët të sigurisë mes Ukrainës dhe Ballkanit Perëndimor por dhe bashëpunimin për të prodhuar municionet e nevojshme për të zbrapsur agresionin rus.
“Kemi 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme. Por nuk mjafton kjo të fitojmë mbi Putinin. Ne shikojmë probleme edhe në ofertën për sa i përket municioneve të cilat ndikojnë kapacitetin tonë në fushat e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve bashkë me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet. Ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për sigurinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në një nga kryeqytetet tuaja”, tha Zelensky.
Pas samitit pritet të firmoset dhe një deklaratë e përbashkët ku vendet e Europës Juglindore dhe Ballkanit do të vendosin sanksione kundër Rusisë, deklaratë të cilën presidenti i Serbisë, Vuçiç është shprehur se duhet të ndyshohet dhe se Rusia nuk duhet të sanksionohet.