Partneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve, ishin një nga modelet e biznesit që tërhoqën shumë sipërmarrje, për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po vërtetohet se në pjesën më të madhe, ato janë skema abuzuese, ndërsa buxheti i shtetit thjesht ka humbur paratë që mbledh nga taksapaguesit.
Ndonëse “doli boja”, dhe SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion) ka hapur hetimet për shumë prej tyre, qeveria ka vendosur pa shumë argumente të shtyjë afatin e disa prej tyre.
Dy koncesione, për të cilat taksapaguesit deri tani kanë paguar 115 milionë euro gjatë dekadës së fundit u shtynë me të paktën edhe një vit.
Në janar 2023, Këshilli i Ministrave zgjati edhe me dy vjet koncesionin e pullave fiskale. “SICPA Security Solutions Albania”, që po zbaton këtë kontratë, raportoi të ardhura prej 1 miliard lekësh në 2022, me një rritje të lehtë prej 2%.
Në total, për 10 vjet që ky koncesion ka funksionuar (2012-2022), kompania ka pasur rreth 82 milionë euro të ardhura.
Grupet e interesit, të cilat prej një kohe të gjatë kanë ngritur shqetësimin për kosto të rënduara nga tarifa 10 herë më e lartë e pullave fiskale që ata paguajnë krahasuar me vendet e BE-së, ishin kundër shtyrjes.
Moszbatimi i pjesës së kontratës për pullat e barnave u përdor si argument për shtyrjen. Kostot nga pagesat e tarifave të pullave fiskale për një nga bizneset më të mëdha të mallrave të akcizës arrijnë deri në 2 milionë euro në vit.
Në gusht 2023, qeveria vendosi të shtyjë edhe me një vit kontratën e markimit të karburanteve. “GFI Albania”, që po zbaton këtë kontratë, raportoi 430 milionë lekë të ardhura, pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë.
Kontrata 10-vjeçare përfundonte në 1 gusht 2023. Sipas vendimit të ri, kontrata e koncesionit është 11 vjet, duke filluar nga data efektive. Më parë, kontrata kishte afat 10-vjeçar.
Vendimi nuk i jep arsyet e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.
Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.
Deri tani ka munguar një analizë kosto-përfitime se çfarë i solli tregut të hidrokarbureve ky koncesion në 10 vite dhe sa e luftoi ai kontrabandën.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila ishte kundër shtyrjes, tha se ky koncesion nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo që nuk paguan akcizë.
Në 10 vjet, kompania ka arkëtuar rreth 32.5 milionë euro nga ky koncesion. Gjithsesi, nuk ka pasur hyrje të reja vitet e fundit dhe as rritje të larta nga koncesionet ekzistuese, ndonëse aktiviteti i tyre vijon i qëndrueshëm.
“ALEAT”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë, ka deklaruar rënie të të ardhurave me 15% në vitin 2022, duke arritur në 5.5 miliardë lekë, në vitin e fundit të plotë të aktivitetit.
Sipas raportit të aktivitetit, “koncesioni u dha fillimisht për një periudhë 5-vjeçare, duke filluar në 18 gusht 2008.
Me terma dhe kushte të ngjashme, Marrëveshja e Koncesionit është zgjatur deri më 31 korrik 2023 nëpërmjet një amendamenti të nënshkruar nga Qeveria e Shqipërisë më 19 mars 2013, e cila u bë efektive në 31 maj 2013, duke shtuar një Platformë të re për shërbimin dixhital të identitetit, me një rifreskim të plotë të teknologjisë dhe rishikim të çmimeve të dokumenteve të identifikimit.
Marrëveshja e Koncesionit ndërpritet më 31 korrik 2023 dhe më 18 janar 2023, Qeveria e Shqipërisë mori vendimin për të mos e zgjatur më tej periudhën e koncesionit për ALEAT.
Pas përfundimit të periudhës së Koncesionit, Shoqëria do t’ia kthejë Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të Koncesionit. Ai do t’i transferojë Autoritetit çdo të drejtë ose titull në lidhje me mjediset e koncesionit dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit”.
“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, ka raportuar të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2021, duke mos arritur kufirin për t’u renditur brenda 200 të mëdhave.
Koncesioni është miratuar në vitin 2011.
Koncesionet e formës PPP u rritën 12.5% në vitin 2022
Shoqëri të reja koncesionare kanë hyrë në listën e më të mëdhave që nga viti 2018, duke reflektuar valën e re të projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare, ndërsa të tjera vijojnë të ngjiten te më të mëdhatë.
Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2022 rezultojnë 11 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore.
Pagesat faktike për vitin 2022, në total rezultuan në rreth 12.64 miliardë lekë, ose 99.5% e planit vjetor 2022, të ndryshuar. Kjo shumë është 12.5% më e lartë se një vit më parë.
“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit dhe raportoi të ardhura prej 2.7 miliardë lekësh, me tkurrje 43%.
Kompania ka nënkontraktuar shoqërinë mëmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit (GJOKA).
Kjo kompani mbetet koncesionari më i madh, me pagesa 2.9 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, me tkurrje 13%. Sipas raportit të aktivitetit “në vitin 2022, të ardhurat e realizuara për punimet e kryera në Rrugën e Arbrit janë 2.66 miliardë lekë.
Në total janë realizuar 79% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge. Për vitin 2022, kemi një ulje të shpenzimeve për interesa krahasuar me vitin 2021 në masën 16%, si rezultat i shlyerjes së shumës së financuar me hua bankare.
Burimet e financimit për këtë projekt bazohen në gjendjen financiare të shoqërisë ‘Gjoka Konstruksion’ si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë”.
“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018.
Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila). Kompania raportoi të ardhura 2.2 miliardë lekë në vitin 2022, me rënie prej 27% me bazë vjetore, pas rritjes me 30% vitin e mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e përdorimit të rrugës për vitin 2022 janë 1.72 miliardë lekë, nga 1.74 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
Në kontratën e koncesionit është parashikuar që, në rast se shuma e të ardhurave nga tarifa e përdorimit të rrugës, tejkalon limitin e parashikuar në kontratë, 60% e këtij tejkalimi do t’i kthehet autoritetit kontraktues.
Shuma e llogaritur për vitin ushtrimor në bazë të kësaj kërkese të kontratës është 146 milionë lekë.
Marrë me shkëputje nga Monitor