Një banderolë kundër Dushan Vlahovic u shfaq në ambientet e jashtme të “Parc des Princes” në Paris. Një grup tifozësh e ekspozuan atë, duke shprehur kontestimin e tyre për blerjen e sulmuesit serb.
Drejtuesit e klubit parisien po mendojnë transferimin e sulmuesit 23-vjeçar. Pakënaqësia e tyre ka të bëjë me simbolin që lojtari feston, atë duke ngritur tre gishtat; të madhin, treguesin dhe të mesit që përdoret edhe nga neonazistët.
“Vlahovic, në Paris do të presim tre gishtat e tu”, ishte mesazhi në banderole.
Festimi me tre gishtat përdoret në Serbi për të nënkuptuar fitoren, si edhe triniteti i shenjtë. Të shumtë janë sportistët që festojnë ashtu, por edhe lojtarët. Por ky simbol është përdorur edhe nga çetnikët serbë gjatë masakrave në luftërat në Bosnjë dhe Kosovë.
Tifozët janë acaruar nga një fotografi e Vlahoviçt me dy lojtarët tjerë të përfaqësueses serbe, Kostiç dhe Mitroviç, ku të tre pozojnë me tre gishtat. Për më tepër që ata mbajnë veshur edhe një bluzë me hartën e Serbisë, ku përfshihet edhe Kosova.