“Bashkë Fitojmë” ka çelur zyrtarisht fushatën e saj zgjedhore në stadiumin “Air Albania”.
Pjesë e këtij grupimi është Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia për Bashkimin dhe të Drejtat e Njeriut.
Pak përpara fillimit të rrugëtimit të fushatës elektorale, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi mbërriti në stadium me një autobus për të manifestuar propozimin e tij kryesor për transportin publik falas në Tiranë.
Sipas tij, kjo e fundit do të ulë koston e jetesës, lehtësojë qarkullimin dhe do të pakësojë ndotjen.
Këlliçi propozon gjithashtu reduktimin e taksave dhe tarifave, që do të ndihmojnë biznesin e vogël dhe familjet.
Po ashtu, 7 milionë euro do shkojnë për prodhimet ‘Made in Tirana’.
Pjesë e angazhimit janë edhe 500 oaze të gjelbërta në Tiranë, ndërsa Lana do kthehet në një korridor të pastër dhe çlodhës.
Asnjë zonë në kryeqytet nuk do jetë pa çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Së fundmi, Këlliçi ka propozuar edhe ndërtimin e një nënkalimi në sheshin Skënderbej për të përgjysmuar trafikun në Tiranë.