Xhamal Musjala pritet të jetë ylli i kombëtares gjermane në Kampionatin Europian të kësaj vere. Talenti 21-vjeçar i Bayern Munich besohet të jetë protagonist me përfaqësuesen e Pancerave, teksa rivaliteti për titullin kampion do të jetë i fortë.
Ylli i kombëtares organizatore të kompeticionit ka zbuluar edhe favoritet për trofeun e më të mirit të Kontinentit. Në një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, mesfushori me tipare sulmuese ka bërë parashikimin, ndërsa përjashton Gjermaninë si favorite.
“Franca është ndoshta favorite kryesor. Pastaj është Anglia me shumë lojtarë të mirë. Por edhe Spanja ka lojtarë të mrekullueshëm. Do të jetë interesante të ndiqni këtë turne. Gjithmonë një ose dy skuadra do të befasojnë dhe kanë mundësi të shkëlqyer për të fituar trofeun.”
Kampionati Europian i kësaj vere do të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik. Sfida hapëse do të jetë ajo mes Gjermanisë dhe Skocisë, ndërsa për herë të dytë, pjesë e turneut do të jetë edhe kombëtarja shqiptare. Kuqezinjtë janë shortuar në një grup me kampionët në fuqi, Italinë, Spanjën dhe Kroacinë.