Pas rrëshqitjes së dheut në ishullin italian Ischia, deri më tani janë gjetur 8 trupa mes tyre një i porsalindur vetëm 22 ditësh, ndërsa vazhdojnë kërkimet për 5 personat e tjerë që rezultojnë të zhdukur. Ekipet e kërkim-shpëtimit që punojnë në rrugën Celario kanë identifikuar dhe nxjerrë viktimën e tetë të përmbytjes. Bëhet fjalë për një burrë, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.
Numri i të evokuarve ka shkuar në 230 njerëz të cilët janë akomoduar në hotele ose me miqtë dhe të afërmit e tyre.
Qeveria italiane mori masa duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për një vit dhe duke ndarë dy milionë euro ndihmë. Gjithashtu në dekretin e lëshuar nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni parashikohet gjithashtu një pezullim i pagesave të taksave për banorët deri në fund të vitit.
Këto pamje tregojnë ndërtesa të shkatërruara nga rrëshqitja e dheut dhe dëmet e pallogaritshme që ka lënë pas.
Sipas të dhënave zyrtare në ishull ka një numër të madh shtëpish që janë ndërtuar ilegalisht, duke bërë që banorët të jenë më të rrezikuar nga përmbytjet dhe tërmetet të cilat shpesh kanë goditur ishullin gjatë viteve të fundit.
Tragjedia në ishull ka rindezur polemika lidhur me dhënien e lejeve për ndërtesat e paligjshme në dekadat e fundit dhe hezitimin e disa politikanëve për të trajtuar këtë çështje.