A mundet Europa të dekarbonizojë industrinë e saj të rëndë? Po, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, shkruan The Economist.
Çeliku suedez konsiderohet më i forti në botë. Së shpejti mund të bëhet edhe më ekologjiku. Në Boden, një qytet pranë rajonit Arktik, një kompani startup e quajtur H2 Green Steel (H2GS), po ngre një mulli të ri me vlerë 4 miliardë euro (4 miliardë dollarë), i pari në Europë në gati gjysmëshekulli.
Ai nuk do të furnizohet nga qymyri apo gazi natyror i zakonshëm, por nga hidrogjeni, i prodhuar nga era dhe hidrocentralet e bollshme të rajonit. Kur të përfundojë brenda pak vitesh, ai do të punësojë deri në 1800 njerëz dhe do të prodhojë 5 milionë tonë çelik në vit.
Projekti ka rëndësi të madhe, jo vetëm për Suedinë Veriore, me popullsi të pakët. Pasojat mund të jenë të rëndësishme për prodhuesit e çelikut dhe materialeve të tjera bazë në kontinent, si çimentoja dhe kimikatet, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejt me rreth 1% të PBB-së së BE-së.
Ai do të ndikonte në zinxhirët e furnizimit të firmave, nga prodhuesit e makinave te ndërtuesit, të cilët përbëjnë 14% të prodhimit të BE-së, sipas Material Economics, një institut kërkimi. Kjo do të nxiste pavarësinë energjetike të Europës, rëndësia e së cilës ka dalë tashmë në pah nga shantazhi energjetik i Rusisë pas sanksioneve perëndimore kundër luftës në Ukrainë.
Dhe do të ndihmonte edhe për klimën, pasi industritë e materialeve bazë lëshojnë rreth një të pestën e emetimeve të gazrave serrë në Europë. Ann Mettler nga Breakthrough Energy, një fond kapitali sipërmarrës i mbështetur nga Bill Gates, mendon se kjo nismë mund të shënojë rilindjen e industrisë së rëndë europiane të epokës pas karburanteve fosile.
Prej kohësh, mendohej se industria e rëndë ishte tepër e varur nga karboni dhe nuk mund të bëhej ekologjike. Përpunimi i mineralit të hekurit për prodhimin e çelikut, ngrohja e gurit gëlqeror për të prodhuar çimento dhe përdorimi i avullit për të ndarë hidrokarburet në molekulat e tyre përbërëse, janë të gjitha procese që kërkojnë shumë energji.
Për më tepër, ato lëshojnë shumë dioksid karboni shtesë. Ekspertët besonin se ulja e të gjithë këtyre emetimeve, ishte teknikisht e pamundur ose tepër e shtrenjtë.
Si ekonomia, ashtu edhe teknologjia, po krijojnë një mjedis më të favorshëm. Europa po cakton objektiva më të rrepta të emetimeve, çmimet e karbonit po rriten dhe konsumatorët duket se janë më të gatshëm për të paguar më shumë për produkte më ekologjike.
Disa vende europiane kanë hartuar strategji për hidrogjenin, zëvendësuesin më premtues për lëndët djegëse fosile, në shumë procese industriale. Gjermania do të krijojë Kompaninë e Rrjetit Ndërmjetësues të Hidrogjenit, një qendër globale për hidrogjenin dhe produktet me prejardhje nga hidrogjeni.
Më e rëndësishmja, teknologjitë me karbon të ulët, më në fund po përdoren gjerësisht. Shumë kompani kanë nevojë të ripërtërijnë asetet e tyre të vjetruara dhe kjo ofron një “mekanizëm të shpejtë përparimi”, thotë Per-Anders nga firma Material Economics.
Eliminimi i karbonit
Së bashku, këto zhvillime po mundësojnë që firmat industriale, të cilat janë zotuar të eliminojnë karbonin deri në vitin 2050, të fillojnë të marrin hapa konkretë në këtë drejtim.
Material Economics ka identifikuar 70 projekte në Europë që po komercializojnë teknologjinë për të pakësuar emetimet e karbonit në industritë e materialeve bazë.
Pothuajse çdo javë krijohet nga një sipërmarrje e re. Industria e dekarbonizimit është kthyer nga një mision i pamundur, në një “mision të mundshëm”, thotë Adair Turner nga Komisioni i Tranzicionit të Energjisë, një institut kërkimor.
Në industrinë e çelikut janë bërë më shumë përparime. Mulliri H2GS në Boden, po kombinon me zgjuarsi teknologjitë në një shkallë të gjerë. Kompania po ndërton një nga impiantet më të mëdha të elektrolizës në botë, për të prodhuar hidrogjen.
Më pas, gazi pompohet në një reaktor, ku fuqizon një proces të quajtur “reduktim i drejtpërdrejtë”: nën nxehtësi të madhe, ai rrëmben oksigjenin nga minerali i hekurit, duke prodhuar vetëm ujë dhe “hekur sfungjer”. Ky material, i quajtur kështu sepse e ka sipërfaqen të mbushur me vrima, më pas rafinohet në çelik duke përdorur një furrë me hark elektrik.
Në jug të qytetit Boden, Hybrid, një sipërmarrje e përbashkët midis prodhuesit të çelikut SSAB, kompanisë elektrike Vattenfall, dhe prodhuesit të hekurit LKAB, po përgatit një proces të ngjashëm.
Në korrik, bordi i Salzgitter, një kompani gjermane e çelikut, miratoi një projekt prej 723 milionë eurosh të quajtur Salcos, për prodhimin e çelikut në mënyra ekologjike. Prodhuesit e tjerë të mëdhenj europianë, duke përfshirë ArcelorMittal dhe Thyssenkrupp, kanë plane të ngjashme.
Prodhuesit e çimentos po shkojnë në të njëjtin drejtim, ndonëse më ngadalë. Ngrohja e gurit gëlqeror gjeneron rreth 60% të emetimeve të karbonit në sektor dhe mungon një teknologji zëvendësuese, si në rastin e prodhimit të çelikut.
Pra, industria po përqendrohet në uljen e emetimeve, duke përdorur kapjen dhe ruajtjen e karbonit. Shumë kompani po eksperimentojnë me një proces ngrohjeje që zëvendëson ajrin me oksigjen të pastër, i cili prodhon CO2 që mund të izolohet lehtësisht. Disa po përpiqen të përdorin energji elektrike në vend të lëndëve djegëse fosile, për të ngrohur gurin gëlqeror. Kompanitë më ambicioze janë duke zhvilluar lloje të reja çimentoje me pak karbon.
HeidelbergCement, prodhuesi i katërt më i madh në botë i materialeve, ka nisur një sërë projektesh me karbon të ulët në Europë. Ato përfshijnë një impiant në qytetin norvegjez Brevik dhe fabrikën e parë të çimentos pa karbon, në ishullin suedez Gotland.
Ecocem, një kompani startup irlandeze, po prodhon çimento që përdor më pak klinker, materiali i ndërmjetëm që rrjedh nga guri gëlqeror, dhe lëshon më pak karbon. Disa kompani po përpiqen të nxjerrin çimento nga betoni i vjetër në ndërtesat e prishura.
Industria kimike përballet me sfidën më të madhe. Edhe pse furnizimi me energji elektrike në vend të gazit natyror është i thjeshtë në parim, në praktikë, është më i ndërlikuar, duke pasur parasysh furnizimin e kufizuar të energjisë elektrike me karbon të ulët. Për më tepër, biznesi i kimikateve përthith hidrokarbure, nga të cilat rrjedhin shumë nga 30,000 produktet e tij.
Aspak dorëzim
Sidoqoftë, industria nuk po dorëzohet. Basf, një gjigant i prodhimit të kimikateve, po punon me dy rivalë, Sabic dhe Linde, për të eliminuar gazin natyror dhe për ta zëvendësuar atë me elektricitet në fabrikën në qytetin Ludwigshafen.
Ajo dëshiron të eliminojë emetimet në uzinën në Antwerp, deri në vitin 2030. Për të arritur këtë qëllim, Basf kohët e fundit bleu një pjesë të një ferme me erë në brigjet holandeze, për të siguruar energji elektrike pa karbon.
Kompania, si homologët e saj të çimentos, po merr në konsideratë edhe riciklimin, veçanërisht një proces të quajtur pirolizë, ku mbetjet plastike digjen në mungesë të oksigjenit dhe ndahen në hidrokarbure. Firma të tjera po eksperimentojnë për të krijuar lloje të ndryshme të lëndëve ushqyese më ekologjike.
Sidoqoftë, infrastruktura e nevojshme për të ngritur projekte të tilla ekologjike, ose është punë në progres (prodhimi i pastër i energjisë elektrike), ose nuk ekziston fare (prodhimi dhe shpërndarja e hidrogjenit).
Kostot mbeten të larta: fabrikat ekologjike të çelikut janë dy deri në tre herë më të shtrenjta për t’u ndërtuar se ato të zakonshmet. Tërheqja e punëtorëve mund të jetë e vështirë, veçanërisht në zonat e pasura me energji të rinovueshme, të cilat shpesh janë të largëta, si qyteti Boden.
Dhe rivalët në vendet e tjera nuk po qëndrojnë duarlidhur. Dy konglomerate gjigante indiane po planifikojnë nisma të mëdha për hidrogjenin e gjelbër. Europa duhet të nxitojë nëse dëshiron të ruajë pozicionin e saj, paralajmëron Frank Peter nga Agora Energiewende, një institut kërkimi.
Të gjitha këto janë pengesa të vështira. Por ato nuk duhet të jenë të pakapërcyeshme. Për të kuptuar arsyen, duhet të marrim parasysh edhe një herë projektin H2GS. Ai i ka bindur kompanitë si BMW, Electrolux dhe Miele, që të nënshkruajnë kontrata për 1.5 milionë tonë çelik ekologjik.
Këto porosi kanë ndikuar që bankat të binden për të financuar dy të tretat e projektit (pjesa tjetër do të vijë nga investimet e kapitalit nga mbështetësit, duke përfshirë firmat e kapitalit sipërmarrës dhe gjigantët industrialë si Scania dhe Mercedes-Benz).
Ndërkohë, për të tërhequr qindra punëtorë të aftë dhe familjet e tyre në Bodenin e largët, duhet krijuar një strehim që t’u përngjajë një lloj rezorti. Për të siguruar kontributin tjetër të rëndësishëm, hidrogjenin, H2GS ka krijuar partneritet me Iberdrola-n, një firmë spanjolle energjetike, për të ndërtuar një fabrikë të madhe në Europën Perëndimore për të prodhuar këtë gaz, me synimin për të furnizuar një pjesë të tij edhe për përdoruesit e tjerë industrialë.
H2GS mendon se, nëse mund të krijojë platformat e saj të çelikut dhe hidrogjenit më herët, mund të ketë avantazhe të rëndësishme ndaj konkurrentëve të tjerë.
Këto përfshijnë vendosjen e standardeve dhe tërheqjen e një pjese të bizneseve potencialisht fitimprurëse, si softueri për të kontrolluar pajisjet e prodhimit të hidrogjenit dhe çelikut. Që Europa të bëhet një superfuqi e industrisë ekologjike, qeveritë e saj dhe gjigantët industrialë duhet të tregojnë zgjuarsi dhe ambicie./ Monitor