Inaugurohet sot baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë. Në ceremoninë që pritet të nisë rreth orës 10:20 do të marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Presidenti Bajram Begaj, kryeministri Rama, si dhe përfaqësues të Aleancës dhe ministra të mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë.
Kjo bazë do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s. Ajo do të shërbejë si qendër për aktivitetet e Forcës Ajrore, por edhe si një pikë stërvitjeje dhe fluturimi për avionët luftarakë dhe ata të transportit të NATO-s gjatë operacioneve në rajonin tonë.
Për vënien në punë të saj u deshën 2 vite dhe një investim prej më shumë se 50 milionë euro me mbështetje të SHBA. Pas pjesës së parë të ceremonisë me fjalime do të organizohet edhe një spektakël ajror avionësh për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarake.
Baza Kuçovës është ndërtuar në vitin 1955, si baza e pare ajrore shqiptare dhe 20 vitet e fundit ka shërbyer kryesisht për stërvitjen e pilotëve të forcave të armatosura.