Pendimi i Artan Tafanit, të arrestuarit për grabitjen 40 mijë euro në një exchange në Tiranë ka çuar në zbardhjen e rreth 20 ngjarjeve kriminale, mes të cilave 6 vrasjeve të ndodhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, konkretisht në Elbasan Korçë, Lushnje, Tepelenë dhe dy në Greqi.
Artan Tafani, pjesë e grupit të vrasësve me pagese te Laert Haxhiut ka pranuar të rrëfejë për vrasjen e Alban Semakut të ndodhur në Peqin më 17 tetor 2021, vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi në Tepelenë, vrasjen e Albi Bashaliut në Peqin, Fridman Xhaferraj në Korçë si dhe Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit në Greqi në dy ngjarje të ndryshme në Greqi.
Pas dëshmisë së Artan Tafanit, Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar 15 urdhër-arreste për disa persona në disa qytete të vendit. 39-vjeçari është arrestuar pak ditë më parë nga policia në një hotel në autostradën e Lushnjes, pasi ishte mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestim e tij. Kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale.
Ai ka qenë pjesë e grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu, i dënuar në Shqipëri me 18 vite burg. Laert Haxhiu është arrestuar në Janinë dhe vijon betejën e tij gjyqësore kundër ekstradimit në vendin tonë.