Mediat greke kanë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur në Selanik të mërkurën, ku një 25-vjeçare goditi disa herë me thikë bashke atdhetaren e saj 27 vjeçe nga Shqipëria, pasi kishte konfirmuar faktin se ajo ishte e dashura e ish-bashkëshortit të saj.
Ngjarja ndodhi në rrugën Ralli, ku viktima ishte duke shkuar në shtëpinë e motrës së saj, me autoren që e ka ndjekur nga pas dhe e ka sulmuar me thikë, duke e plagosur në bark dhe në shpatull.
25-vjeçarja ka dalë sot para Gjykatës ku ka pranuar krimin e kryer për xhelozi.
Ndërkohë, mediat vendase shkruajnë se viktima e quajtur Joana ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën e saj nga gruaja që e goditi me thikë.
Sipas avokatit të viktimës, Andreas Theodoropoulos, autorja 25-vjeçare në dëshminë e saj ka thënë se i ka dërguar mesazhe të ndryshme përmes rrjeteve sociale 27-vjeçares dhe prindërve të saj, me të cilat e kërcënonte me vrasje.
“Merreni vajzën tuaj se do ta vras”, u shkruante 25-vjeçarja prindërve të viktimës, ndërsa në mesazhet që i dërgonte personalisht 27-vjeçares i thoshte se do ta vriste, se ishte e fiksuar dhe xheloze se ajo ishte më e bukur se viktima, që kishte një lidhje dashurie me ish-burrin e saj.
Theodoropoulos tha se sulmi ishte i organizuar mirëfilltazi dhe 25-vjeçarja “synonte t’i merrte jetën dhe të kënaqte tekat e saj personale obsesionale, sepse mendonte se ish-burri i saj do të hiqte dorë nga ajo për viktimën, e cila megjithatë nuk ka asnjë lidhje me ish-burrin e saj”.
Avokati i 27 -vjeçares ka shpjeguar se viktima është goditur dy herë me thikë në pjesë kyçe të barkut dhe plagët ishin të thella, ndaj jeta e saj është në rrezik.
Sipas tij, nëse goditjet do të kishin qenë disa centimetra më afër vendit ku ndodhet arteria qendrore, ato mund t’i kishin shkaktuar vdekjen. “Autorja nuk kishte asnjë shkak dhe asnjë arsye për të kryer veprën penale të vrasjes me dashje ndaj saj, në gjendje të qetë shpirtërore”, theksoi ai.
Theodoropoulos theksoi gjithashtu se goditja e tretë me thikë që 27-vjeçarja mori në shpatull ishte ajo që i shpëtoi jetën, pasi thika e mprehtë ishte ngulur në shpatull në atë mënyrë që autorja të mos e hiqte dot për të vazhduar më tej goditjet me thikë ndërkohë që nuk kishte asnjë mjet tjetër për të përfunduar deri në fund vrasjen.
Siç ka rrëfyer për protothema.gr 27-vjeçarja Joana dhe ka përsëritur sot edhe avokati i saj, ajo nuk ka pasur në asnjë rrethanë lidhje me ish-bashkëshortin e autores, por kishin vetëm marrëdhënie miqësore.
“Më tha të shkoja drejt saj dhe më goditi tre herë me thikë”, rrëfeu viktima.
“Gjithçka ndodhi pasditen e së mërkurës, kur më telefonoi burri i motrës dhe më tha të shkoja nga shtëpia e tyre për të parë nipin tim. Papritur kjo grua u shfaq në rrugën time dhe më tha të shkoja në shtëpinë e saj për të folur. Fillova të vrapoj, sepse ndjeva se diçka do të më bënte. Sapo shkova në shtëpinë e motrës sime, ajo më kapi dhe më goditi dy herë me thikë në bark dhe njëherë në shpatull”, shtoi 27-vjeçarja më tej.
Siç rrëfeu viktima, autorja 25-vjeçare, “thikën e kishte të fshehur në xhep”.
“Më tha: ‘Eja Joana, të flasim, nuk do të të bëj asgjë’ dhe më pas më sulmoi. Unë ia dola me gjithë forcën që kisha dhe e shtyva me këmbë. Motra ime dëgjoi zëra dhe hapi derën e shtëpisë. Sapo më pa, vrapoi dhe më hoqi thikën që më ishte ngulur në shpatull, më pas lajmëroi babanë dhe u rrëzua në tokë. Sapo babai im u kthye në shtëpi, ai e kapi për flokësh gruan që më sulmoi dhe bërtiti se do ta vriste me duart e tij dhe do të përfundonte në burg. Ai nuk duronte të më shihte të mbuluar në gjak”, përshkroi ajo më vonë.
E reja e bëri të qartë se nuk kishte lidhje me ish-bashkëshortin e 25-vjeçares, por kjo e fundit ishte xheloze patologjike, e madje e kishte sulmuar edhe një herë në të shkuarën.
“Ajo ishte xheloze që flisja me të, ne nuk ishim në një lidhje, thjesht flisnim dhe dilnim. Ajo ishte shumë xheloze, por unë nuk kam qenë kurrë çift me burrin e saj. Kam frikë se kur të dal nga spitali do të ketë më shumë incidente. Kjo grua më sulmoi dy muaj më parë, për fat nuk kishte thikë atëherë dhe nuk i thashë ish- burrit të saj. Pastaj ishim kapur me duar dhe më grisi rrobat”, zbuloi e reja nga spitali.
Siç tha ajo më pas, mjekëve iu desh të bënin shumë qepje dhe ajo ka dhimbje, por gëzohet që gjërat nuk morën një rrjedhë më të keqe dhe shëndeti i saj po përmirësohet. Ndaj të pandehurës 25-vjeçare shqiptare , prokurori publik ka ngritur procedim penal për vrasje të mbetur në tentativë, ndërsa akuzohet edhe për armëmbajtje.