Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e arrestit ‘burg pa afat’ për 54-vjeçarin Agron Puka i cili mbeti i plagosur nga përplasja me armë zjarri mëngjesin e së mërkurës në Rrilë të Lezhës. Ai u njoh me masën e sigurisë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr mjekim që prej ditës kur ndodhi ngjarja.
54-vjeçari ka deklaruar para Gjykatës se ai ka qëlluar për vetëmbrojtje, pasi tre persona i kishin zënë pritë sapo la fëmijët në shkollë. Por pavarësisht këtyre pretendimeve, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e Agron Pukës dhe vendosi ndaj tij masën sigurisë “Arrest në Burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja ndodhi para shkollës 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, ku sipas policisë Vinçens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka kanë qëlluar me armë ndaj Agron Pukës, i cili iu kundërpërgjigj po me armë. Tre autorët janë shpallur në kërkim policor.