Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se bisedimet Kosovë Serbi kanë zgjatur shumë dhe është koha për përparim ndërsa perëndimi përballet me çështje të tjera të rëndësishme siç është lufta në Ukrainë.
Ambasadori Hill tha se dëshira për përparim është pasqyruar edhe në telefonatat e së martë që zhvilloi Sekretari i Shtetit Antony Blinken me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti si dhe angazhimin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare të Francës dhe Gjermanisë, të cilët siç është thënë, hodhën në tryezë një propozim për një marrëveshje ndërmjet të dyja palëve.
“Ne e mbështesim këtë propozim”, tha ambasadori Hill, por nuk deshi të flasë për hollësi duke theksuar se “u takon evropianëve të flasin për këtë. Por mund të them se evropianët duan që kjo gjë të lëvizë. Qartazi këto janë çështje të vështira, por është e rëndësishme që të dyja palët të kuptojnë se ka gjëra të tjera që po ndodhin në Evropë, për shembull në Ukrainë, dhe është koha për përparim në këtë çështje. Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”.
As Parisi dhe as Berlini nuk kanë folur për propozimin i cili sipas presidentit serb, parasheh që Serbia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por pa e njohur pavarësinë e saj, ndërsa në shkëmbim Serbisë do t’i ofrohet përshpejtimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se po diskutohen modele të ndryshme, por nuk ka diçka përfundimtare apo vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozim franko-gjerman.