Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka bërë thirrje që Europa të ndërtojë aftësitë e veta të mbrojtjes në vazhdën e luftës në Ukrainë, duke thënë se pa ndihmën e SHBA-së ajo nuk është mjaft e qëndrueshme.
“Duhet të sigurohemi që jemi më të fortë”, tha Marin në Sydney të premten. “Dhe unë do të jem brutalisht e sinqertë me ju, Europa nuk është mjaft e fortë. Ne do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara.”
Marin këmbënguli se Ukrainës duhet t’i jepet çfarëdo që duhet për të fituar luftën, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë thelbësore në furnizimin e Kievit me armë, financa dhe ndihmë humanitare të nevojshme për të zbehur përparimin e Rusisë.
“Ne duhet të sigurohemi që po i ndërtojmë gjithashtu ato aftësi kur bëhet fjalë për mbrojtjen evropiane, industrinë evropiane të mbrojtjes, dhe duke u siguruar që ne mund të përballemi në lloje të ndryshme situatash”, tha ajo.