Guvernatori i Montana-s, Greg Gianforte, ka nënshkruar një projekt-ligj që ndalon TikTok, duke e bërë Montana-n shtetin e parë amerikan që ndalon aplikacionin popullor të videove të shkurtra, raporton Reuters.
Montana miratoi një ligj që ndalon TikTok në mes të prillit. Ligji u pranua me 54 vota, 43 ishin kundër dhe tani ligji është firmosur nga guvernatori republikan i atij shteti në veriperëndim të vendit, i cili ka pak më shumë se një milion banorë.
Guvernatori Gianforte theksoi se si projektligji do të avanconte “prioritetin tonë të përbashkët për të mbrojtur Montanasit nga mbikëqyrja e Partisë Komuniste Kineze”.
Ligji i ri, i cili do të hyjë në fuqi në janar 2024, ndalon funksionimin e aplikacionit TikTok brenda kufijve të Montanas.
Ligji gjithashtu rendit gjobat e mundshme prej 10,000 dollarë në ditë për shkelësit, duke përfshirë dyqanet e aplikacioneve. Dënimet nuk do të zbatohen për përdoruesit.
TikTok, i cili ka mbi 150 milionë përdorues amerikanë, po përballet me thirrje në rritje nga ligjvënësit dhe zyrtarët e qeverisë amerikane për të ndaluar aplikacionin në të gjithë vendin mes shqetësimeve për ndikimin e mundshëm të qeverisë kineze mbi platformën.
Por kompania, e cila është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë ByteDance, mohon të ketë ndarë ndonjëherë të dhëna me qeverinë kineze dhe tha se nuk do ta bënte këtë nëse do t’i kërkohet.
TikTok tha se projektligji “shkel të drejtat e Amendamentit të Parë të njerëzve të Montanës duke ndaluar në mënyrë të paligjshme TikTok”, duke shtuar se ata “do të mbrojnë të drejtat e përdoruesve tanë brenda dhe jashtë Montanës”.
Pritet që kjo masë, e cila duhet të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, të kontestohet ligjërisht.
Videot argëtuese dhe lehtësia e përdorimit të aplikacionit e kanë bërë atë shumë të popullarizuar dhe gjigantët e teknologjisë amerikane si Snapchat dhe Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, e shohin atë si një kërcënim konkurrues, shkruan Reuters.