Faturino i autobusit të linjës “Tiranë-Prishtinë”, u grabit me dhunë nga një 25-vjeçar i cili u identifikua dhe arrestua nga policia. Ngjarja ndodhi mesnatën e së shtunës në Rrugën e kombit, teksa autobusi kishte ndaluar në një stacion pranë zonës së Repsit. I riu hyri brenda mjetit dhe goditi me grusht faturinën dhe i mori çantën që mbante me vete dhe u largua me vrap.
Nga goditja faturino 31-vjeçar pësoi dëmtime në kokë dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Mirditës, ndërsa bëri dhe kallëzim në polici. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan menjëherë punën për të identifikuar dhe arrestuar autorin.
Si rezultat, në kuadër të operacionit policor të koduar “Linja”, shërbimet e Policisë, të mbështetura te informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të rastit, Emirjan Deda 25 vjeç, banues në Laç.
Ai u prangos duke u larguar në këmbë disa km larg vendit të ngjarjes, ndërsa rezulton të jetë person me precedent të mëparshëm penal.
Gjithashtu, u bë e mundur gjetja e shumës së parave të vjedhura me dhunë, 675 €, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa veprimet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”.