Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është dënuar sot nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.
Ai është dënuar me 10 vjet burgim për ndalim arbitrar, 22 vjet burgim për torturë dhe 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.
Ai është shpallur i pafajshëm për trajtim mizor.
Ky njëherësh është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Kryegjykatësja Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës.
“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.
Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.