Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Himarë Fredi Beleri i cili kërkoi shfuqizimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’ të caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme, në shkallën e parë dhe në apel për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Sipas Kushtetueses, masa “arrest në burg” për Belerin është e ligjshme, ndërsa thekson se nuk i është cenuar prezumimi i pafajësisë dhe as e drejta për t’u zgjedhur kryebashkiak. Kjo pasi Gjykata argumenton se vendosja e masës së sigurimit personal “arresti në burg” në ngarkim të Belerit pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, masa e arrestit përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur.
Më 5 mars Gjykata e Posaçme e dënoi me dy vite burg Belerin, ndërsa avokati i tij tha se “prokuroria nuk solli asnjë provë dhe ne provuam se aktet e tjera janë të falsifikuara. Ndërkohë, në deklaratën që bëri Beleri brenda në sallën e gjyqit qëllimi i procesit ndaj tij janë zgjedhjet e reja në Himarë.
Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, teksa ofronte para për të vlerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga bashkëpunëtori i drejtësisë i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.