Kafeneja ku kishte punuar Liridona në Suedi i ka bërë homazhe 30-vjeçares së vrarë në Kosovë. Ata kanë vendosur që sot ta bëjnë kafen falas për të gjithë klientët në shenjë respekti.
“Sot jemi mjaft të pikëlluar që na duhet t’ju njoftojmë se një person i mrekullueshëm si Liridona, është larguar shumë shpejt nga kjo botë. Një grua që gjithmonë i vlerësonte klientët dhe donte të sigurohej që ata të kishin gjithmonë përvojën më të mirë me ne. Ajo gjithmonë jepte 100% në vendin e punës. Dinte vetëm të gëzonte me një buzëqeshje të madhe në fytyrën e saj, si kolegët ashtu edhe klientët. Sot do jemi të hapur për klientët, ku të gjithë janë të mirëpritur të bëjnë homazhe dhe të kujtojnë Lilly-n tonë! Do të jemi të hapur nga ora 15.00. Nuk do të ketë shitje, por në vend të kësaj, do të ketë kafe falas. Mirë se vini!”, thuhet në postimin e lokalit.
Liridona u vra më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë me porosi të bashkëshortit të saj. Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit me afat 1 muaj deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.