Blutë e aeroportit ‘Nënë Tereza’ kanë arrestuar një 24-vjeçare me inicialet M.M., pasi kjo e fundit ka tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara. E reja kishte si qëllim që të kërkonte azil në Mbretërinë e Bashkuar me pretendimin se ishte viktimë e prostitucionit.
Policia bazuar në inteligjencën informative të siguruar nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik Tiranë ka bërë të mundur arrestimin e të resë.
Gjatë kontrollit të 24-vjeçares në çantën e saj u gjet dhe u sekuestrua një pasaportë, një kartë identiteti si dhe një leje drejtimi italiane e falsifikuar e cila sipas policisë mund ta përdorte për të kërkuar azil politik në Britaninë e Madhe.
Policia ka vendosur nën hetim edhe 30-vjeçarin A.S., i cili po shoqëronte 24-vjeçaren M.M.