Ndonëse me ritme më të ngadalësuara në krahasim me dy vitet e mëparshme, shumë shtetas shqiptarë vijojnë të kërkojnë azil në një nga vendet e Bashkimit Europoian edhe në 2023.
Të dhënat e fundit të publikuara nga Eurostat tregojnë se për periudhën janar-shtator, aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil ishin gati 12 mijë (11,865). Në krahasim me vitin 2022, kur u shënua niveli më i lartë i pas pandemisë, kërkesat për azil kanë rënë me 32%, duke treguar për një ritëm më të ulët të ikjeve në raport me vitin e mëparshëm.
Gjithsesi, në shtator u konstatua sërish një rritje e fluksit në krahasim me muajt e mëparshëm. Në shtator, kërkesat për azil arritën në 1240, që është niveli më i lartë që nga muaji mars, kur kishte mbi 1500 aplikime. Në gusht niveli i aplikimeve kishte rënë në rreth një mijë.
Përgjithësisht, rreth 60% e atyre që kërkojnë azil aplikojnë për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër janë riaplikime.
Franca vijon që të jetë shteti kryesor ku drejtohen shtetasit shqiptarë që duan të kërkojnë azil, si rrjedhojë e politikave më sociale që ai ndjek. Në vend të dytë është Gjermania, e ndjekur nga Italia.
Sipas Eurostat në muajin shtator të këtij viti 98 240 shtetas jo të BE-së aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e BE-së, një rritje prej 10% krahasuar me shtatorin 2022 (89 370).
Kishte gjithashtu 5 265 aplikime të përsëritshme, një rënie prej 20% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar (6 555).
Shtetasit sirianë mbeten grupi më i madh i azilkërkuesve
Ashtu si në muajt e mëparshëm, në shtator 2023, sirianët vazhduan të ishin grupi më i madh i njerëzve që kërkonin azil (19 220 aplikantë për herë të parë). Pas tyre vinin turqit (10 200), ndjekur nga afganët (9 215), venezuelasit (5 290) dhe kolumbianët (5 230).
Gjermania, Spanja, Franca dhe Italia morën 67% të të gjithë aplikimeve për azil për herë të pare
Ngjashëm me muajt e mëparshëm, në shtator 2023, Gjermania (27 885), Spanja (13 395), Franca (13 100) dhe Italia (11 930) vazhduan të marrin numrin më të madh të aplikimeve për azil për herë të parë, duke përbërë 67% të të gjithë aplikantët për herë të parë në BE.
Në shtator 2023, totali i BE-së i aplikantëve për herë të parë për azil ishte 21.9 për njëqind mijë njerëz. Krahasuar me popullsinë e çdo vendi të BE-së (më 1 janar 2023), shkalla më e lartë e aplikantëve të regjistruar për herë të parë në shtator 2023 u regjistrua në Austri (87.6 aplikantë për njëqind mijë njerëz), e ndjekur nga Qiproja (79.3) dhe Greqia (74.7 ). Ndërsa shkalla më e ulët është vërejtur në Hungari (0.03).
4 055 të mitur të pashoqëruar që aplikojnë për azil në vendet e BE-së
Në shtator 2023, 4 055 të mitur të pashoqëruar aplikuan për azil për herë të parë në BE, kryesisht nga Siria (1 575) dhe Afganistani (980).
Vendet e BE-së që morën numrin më të madh të kërkesave për azil nga të miturit e pashoqëruar ishin Holanda (910), e ndjekur nga Gjermania (775), Austria (705), Bullgaria (490) dhe Greqia (380)./ Monitor