Kampioni në fuqi i Moto GP, Francesco Bagnaia siguroi pole-position në Çmimin e Madh të Malajzisë. Piloti italian i Dukatit realizoi një kohë rekord prej 1:57.491 në Sepang, duke e rritur presionin mbi pretendentin për titullin, pilotin e Pramac Racing, Jorge Martin.
Bagnaia bëri një xhiro të shkëlqyer në fund për të siguruar polen e tij të parë që nga Çmimi i Madh i Katalonjës në shtator dhe mundi spanjollin, i cili fitoi pole-position në vitin e shkuar.
‘Duke marrë parasysh vitin e fundit, ishte një nga pole-position më të rëndësishëm. Jam shumë i lumtur! Të rikthehem sërish ta nis një garë nga vendi i parë është fantastike dhe është rezultat mjaft pozitiv për Dukatin’, u shpreh piloti i Ducati, Bagnaia.
Martin po bënte një performancë mjaft të mirë në pistë, por u rrëzua në minutat e fundit të sezonit të dytë kualifikues.
Koha e realizuar nga 25-vjeçari prej 1:57.549 nuk ishte e mjaftueshme për t’u nisur i pari. I treti në radhë do të jetë italiani Enea Bastianini i Ducati-t.
Bagnaia do të synojë në garën e radhës që ta rrisë diferencën me rivalin për titull Martin, i cili zbret me 13 pikë në renditje, ndërsa kanë ngelur edhe dy raunde.