Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg që prej 12 majit të këtij viti, ka bërë një deklaratë për shtyp nga qelia. Beleri shënjestron kryeministrin Rama duke e bërë përgjegjës për burgosjen e tij. Ndër të tjera akuzon kreun e qeverisë se po ndërhyn duke shkelur ligjin.
“Kryeministri shqiptar Edi Rama, për të disatën herë në shtatë muajt e fundit, me ndërhyrjet e tij politike dirigjon drejtësinë shqiptare. Ndërhyrja e Ramës është shkelje e prezumimit të pafajësisë”, thotë ndër të tjera Beleri nga qelia.
Në fund të deklaratës së tij, Beleri i kërkon kryeministrit Rama të tregohet i përmbajtur.
Disa ditë më parë, ai u vizitua në qeli nga ministri i shtetit të Greqisë, i cili kërkoi shtetit shqiptar të lirojë Fredi Belerin sa më shpejt, duke e konsideruar arrestimin e tij të padrejtë.