37-vjeçari Shpati Lena dhe miku i tij Haki Xhezo 34-vjeç, u ekzekutuan një ditë më parë në afërsi të mbikalimit të Panajës në aksin Vlorë-Fier.
Në ekzekutimin e Lenës dhe Xhezos dyshohet se kanë qenë tre autorë në ngjarje, ku njëri prej tyre ngiste mjetin, ndërsa dy të tjerët kanë qenë ata që kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Makina “Mercedes Benz C Class” me të cilën udhëtonin 2 viktimat u ndoq nga autorët dhe u qëllua me breshëri kallashnikovi në ecje. Mësohet se autorët kanë dalë paralel me makinën e viktimave e cila ishte bërë shoshë nga plumbat dhe kanë qëlluar. Më pas gjatë parakalimit ata kanë qëlluar edhe në xhamin e parë.
Dy nga autorët ishin në rolin e ekzekutorit, ndërsa personi i tretë shoferi që i largoi nga vend ii ngjarjes. Një makinë tip “Passat”, brenda së cilës u konstatuan 3 armë kallashnikov u gjet e shkrumbuar në Çerven të Fierit. Dyshohet se “Passati” u përdor nga autorët të cilët e dogjën për të zhdukur gjurmët dhe më pas arritën të largoheshin
I gjithë atentati ka zgjatur 120 sekonda nisur nga momenti që atentatorët qëlluan me breshëri plumbash nga makina e tyre paralel me makinën ku ndodheshin Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, deri në momentin që u zunë pritë. Makina e viktimave pasi u qëllua, humbi kontrollin dhe përfundoi në kanal.