Mazhoranca miratoi pa debat buxhetin e vitit 2024 dhe seanca u mbyll brenda 7 minutash pasi deputetët e opozitës hodhën tymuese dhe flakadanë në sallën e Kuvendit.
Deputetët e opozitës kishin paralajmëruar se do të bojkotonin diskutimin për buxhetin 2024.
Garda nuk ka lejuar Sali Berishën dhe Gazment Bardhin të zaptojnë podiumin ku ulet kabineti qeveritar dhe kryetarja e kuvendit. Kjo ka krijuar edhe një moment tensioni, ku Bardhi dhe Ramadan Lika kanë shtyrë punonjësit e Gardës.
Garda ka ushtruar kontrolle ndaj deputetëve, pasi seancat e kaluara opozita ka futur në Kuvend lëndë piroteknike.