Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.00. Burime bëjnë me dije se banesa ku është vendosur lënda plasëse i përket gjyqtarit Tonin Sterkaj.
Ky i fundit është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
‘Rreth orës 03:13, në lagjen “Tom Kola”, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër) është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë.’, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë grupi hetimor po vijon punën në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.