Shqipëria rihap sot bazën ajrore të Kuçovës. Të pranishëm në ceremoninë e përurimit morën pjesë kryeministri Edi Rama, presidenti Begaj, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi e diplomatë dhe përfaqësues të aleancës së NATO-s. Baza ‘një aset për rajonin’ është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri.
“Helikopterët Black Hawk e dronët Bajraktarë janë në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë që do të shërbejë si bazë ajrore taktike të NATO-s. Konsiderojeni këtë bazë si pikë strategjike në mbrojtje të paqes dhe operacioneve të NATO-s. Shprehim gatishmërinë e Shqipërisë për të vendosur në dispozicion të NATO-s dhe Porto Romanon që së bashku me korridorin 8 i siguron aleancës sonë aksin më të shkurtër të kalimit nga brigjet e Adriatikut në Detin e Zi. Shpresojmë të kemi mbështetjen e aleatëve në këtë project madhor,” tha Peleshi.
I deleguari i SHBA-së, David Wisner e konsideroi “gur kilometrik për sigurinë e rajonit”. Kryeministri Edi Rama e quajti një tjetër element sigurie në Ballkanin Perëndimor që ‘kërcënohet jo pak nga Rusia”
“Kjo bazë e re taktike ajrore NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza ajrore detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n e jemi shumë besimplotë se shpejt do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës”
Pak ditë më parë u montuan edhe 3 dronët e armatosur ‘Bayraktar’, të blerë në Turqi. Gjatë ceremonisë do të ketë gjithashtu edhe një spektakël në ajër të fluturimit të avionëve.
Rindërtimi për bazën ajrore të Ku֛çovës nisi në janar të vitit 2022. Ish baza e epokës komuniste e ndërtuar me punë vullnetare në vitet 1950, shtatë dekada më pas do i shërbejë operacioneve të Aleancës Atlantike.
Vendimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s. Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike.