Martesa mes Beyonce dhe Jay-Z, 12 vjet më i madh se ajo ka tërhequr gjithmonë vëmendjen e publikut, por më së tepërmi ajo u rrethua me kureshtje gjatë periudhës së turbullt kur reperi u akuzua për tradhti. Beyonce vetëm së fundmi dha sqarime për atë kohë, sidomos për vendimin e saj të paharrueshëm për të prerë flokët në vitin 2013 për shkak të tradhtisë së bashkëshortit të saj.
2013 ishte padyshim një nga vitet më të këqija për çiftin. Jay-Z është akuzuar se e ka tradhtuar Beyoncen disa herë brenda pak muajsh.
Ai dyshohet se e tradhtoi për herë të parë pikërisht një vit pasi ajo lindi fëmijën e tyre të parë, Blue Ivy. Janarin e 2013-tës qarkulluan fjalë se Jay-Z kishte një lidhje me Rita Orën, por kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë. Disa muaj më vonë, në nëntor, thashethemet morën hov sërish kur ai u pa me një grup modelesh në Belgjikë dhe thuhet se asokohe dyshja po shkonte drejt divorcit.
Beyonce nuk u shfaq në publik atëherë, por në vitin 2016 ajo u dha fansave një pasqyrë të qartë të asaj se si ndihej me publikimin e albumit të saj “Lemonade”, i cili kryesisht pasqyronte tradhtinë e Jay-Z. Një vit më vonë, Jay-Z pranoi për New York Times se e kishte tradhtuar vërtet të shoqen. Mes gjithë dramës që rrethoi tradhtinë e Jay-Z në vitin 2013, Beyonce i befasoi fansat duke prerë flokët.
Duke reflektuar tani për atë vendim, ajo rrëfeu se zgjodhi t’i priste flokët sepse donte të ndihej e “çliruar” në atë kohë të jetës së saj.
“Më kujtohet dita kur vendosa të shkurtoja të gjitha flokët. Nuk kisha një stil specifik në mendje. Nuk ishte një zgjedhje estetike, ishte një transformim i madh emocional dhe metamorfozë që po kaloja. Dhe kjo ishte ajo që duhet të kisha bërë. Pas kësaj u bëra shumë e guximshme. Ishte hapi i parë drejt shumë vendimeve më të guximshme që mora në jetën dhe karrierën time, të cilat më çuan këtu ku jam tani”, shtoi këngëtarja e famshme.