Një atentat me armë zjarri ndaj kryetari të komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi ka ndodhur këtë të hënë në Haraçinë të Maqedonisë së Veriut. Sipas asaj që raportojnë mediat atje, një person ka hapur zjarr në drejtim të makinës ku udhëtonte kryetari.
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur 3 persona, që janë shoferi i Ibraimit dhe një punonjës i komunës, Eshtref Selimi, Adnan Ajdini dhe një person tjetër akoma i paidentifikuar.
Të plagosurit janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Gjendja e kreut të komunës momentalisht nuk bëhet e ditur nga mediat atje.
Autori raportohet të ketë qëlluar të paktën 20 herë në drejtim të të plagosurve. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore. Shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht nuk dihen.
Ndonëse nuk bëjnë të ditur detaje për identitetin e tij, mediat maqedonase shkruajnë se autori është i njohur për autoritetet policore.