Të porosisësh ushqim nga komoditeti i shtëpisë apo nxitimi i zyrës, përmes një platforme që të ofron qindra mundësi në vetëm 10 sekonda është bërë pjesë e rutinës së shumëkujt në Shqipëri.
Industria e “food delivery” (porositjes dhe dorëzimit të ushqimit) ka në bazë të saj teknologjinë dhe duket se ka marrë një pjesë të mirë të terrenit që kishte forma tradicionale e porositjes nga telefoni.
Janë aplikacione apo platformat teknologjike që janë përqafuar sidomos nga brezi i ri, i cili e sheh këtë si një formë më praktike për të marrë shërbimin e dëshiruar.
Ekosistemi i “food delivery” ende nuk ka mbushur një dekadë në vendin tonë dhe përbëhet nga kompani lokale, të cilat vit pasi viti raportojnë rritje të numrit të porosive që kalojnë përmes kanaleve të tyre.
Kjo vjen njëkohësisht me rritjen e numrit të partneriteteve ku sipërmarrje të ndryshme, kryesisht restorante dhe “fast fond” duan të integrojnë “menunë” e tyre brenda platformave në një përpjekje për të arritur çdo klient potencial.
Në një treg që po rritet e maturohet vit pas viti, sfidat nuk mungojnë, ashtu si dhe interesi i të huajve që i kanë hedhur sytë te Shqipëria, si një mundësi për zgjerim. Por si e shohin sot aktorët lokalë të “food delivery” tregun në vend, si është qasja e klientëve dhe sipërmarrjeve ndaj tyre, sfidat, avantazhet dhe disavantazhet në një panoramë ku zhvillimet po bëhen më të shpejta.
Tregu i stabilizuar, bizneset po reflektojnë mbi përfitimet e “food delivery”
Operatorët e tregut të “food delivery” në vend raportojnë për një treg të stabilizuar, ku rritja e post-pandemisë ka qenë e qëndrueshme. Genti Selenica, themelues dhe CEO i “Baboon”, pohon se gjithmonë e më shumë ka një tendencë për të shkuar drejt kësaj risie në porosi dhe shpërndarje.
“Aktualisht, tregu është i stabilizuar dhe është krijuar besim te porositja dhe shpërndarja në këtë formë, por edhe te marka, flas të paktën për kompaninë tonë. Më parë, njerëzit ishin më konservatorë dhe porosisnin nga telefoni. Tani ka ndryshuar forma e porositjes, që është përmes aplikacionit, kurse shpërndarja është e njëjta.
Problemi i tregut ‘delivery’ te ne është se jemi një treg ende i varfër dhe ky është në njëfarë mënyre shërbim luksi, nuk është nevoje”, pohon z. Selenica.
Edhe për Blerta Marklekaj, bashkëthemeluese dhe CEO e “Foodini”, kjo formë shërbimi po përqafohet gradualisht, duke qenë ende e re, duke theksuar se janë bizneset ato që po reflektojnë më shpejt për avantazhet që sjell ky bashkëpunim.
“Kjo është një praktikë më e re dhe do kohën e saj që të përqafohet nga të gjithë. Ne vërejmë se ka ende shumë restorante që e kryejnë në mënyrë të pavarur shpërndarjen e porosive të tyre, por ka një tendencë gjithmonë në rritje të përdorimit të platformave të shpërndarjes nga restorantet.
Shtysë për të marrë këtë shërbim nga një palë e tretë janë disa faktorë, si vështirësitë e rekrutimit, menaxhimi i korrierëve, zëvendësimi i lartë i këtyre të fundit në kuptimin e paqëndrueshmërisë, si dhe kostot e larta që ka një korrier i posaçëm”, pohon znj. Marklekaj.
Sfidat e sektorit, nga kostot e larta tek informaliteti dhe sistemi i adresave
“Food delivery” që në botë pati rritje të jashtëzakonshme në kohën e pandemisë, për shkak të kufizimeve që zgjatën gati një vit, nuk është një nga modelet më të qëndrueshme në aspektin financiar.
Kjo pasi industria operon me marzhe shumë të ulëta fitimi, teksa i duhet që të amortizojë herë pas here goditje që prekin zëra të ndryshëm të kostos së tij, duke mos e përcjellë te konsumatori, që në këto raste është tejet i ndjeshëm.
Këto sfida të kostos, ruajtjes së qëndrueshmërisë në biznes janë të njëjta edhe për kompanitë lokale në vendin tonë, përfshirë edhe problematika të tjera të realitetit tonë.
“Sfida më e madhe për ta kthyer në një biznes të qëndrueshëm është kostoja e lartë e korrierëve dhe komisionet e ulëta, të cilat restorantet janë të gatshëm t’i paguajnë. Kjo sjell efekt zinxhir te niveli i shërbimit.
Ne jemi një nga vendet me komisionet më të ulëta të kësaj industrie, jo vetëm në Europë, por edhe në rajon”, – nënvizon znj. Marklekaj.
Teksa çështja e kostove është një çështje globale, duket se për Shqipërinë ka probleme të lidhura me një sistem më të saktë adresash, që është bërë gjithmonë e më i ndërlikuar nga zhvillimi që ka marrë sidomos kryeqyteti, ku kompanitë kanë të fokusuar aktivitetin e tyre kryesor./ Monitor