Në Shqipëri, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, deklaroi sot se vendi nuk i përmbush kushtet për realizimin e aministisë fiskale të propozuar nga qeveria. Sipas Fondit, amnistia favorizon shmangësit e mëdhenj të taksave duke iu ofruar dhe imunitet nga ndjekja penale. Nga ana tjetër, administrata tatimore vlerësohet të jetë ende e dobët, ndërsa vendi me mangësi strategjike sa i takon luftës kundër pastrimit të arave dhe financimit të terrorizmit
Ideja e qeverisë shqiptare për zbatimin e një aministie të gjerë fiskale nuk po gjen mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare me peshë. Pasi gati dy javë më parë, Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë ripërsëriti se kishte shqetësime serioze për projektin, duke lënë të nënkuptohet se në formën aktuale, propozimi është i papranueshëm për ta, sot Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte dhe më i qartë në kundërshtimin e kësaj nisme: “Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar, i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore”, shpjegoi shefja e misionit të FMN-së Yan Sun.
Por ajo saktësoi se dhe një program deklarimi vullnetar do të kërkonte përmbushjen e disa kushteve. Së pari që të ketë “një administratë tatimore moderne, kompetente, të mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit” dhe së dyti “një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit, që është në gjendje të zbusë rreziqet e deklarimit vullnetar”.
Ishte po shefja e misionit, zonja Sun e cila e bëri mëse të qartë se Shqipëria është larg së plotësuari këto parakushte, të cilat nuk përmbushen në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta. “Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Pergjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, deklaroi shefja e misionit të Fondit Monetar.
Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj nuk u shpreh rreth vlerësimeve të Fmn-së për amnistinë fiskale, në konferencën e përbashkët në përmbyllje të misionit. Ndërsa pas mbledhjes së qeverisë ajo deklaroi se po vijojnë konsultimet: “Ky është një prjektligj, ende në konsultim publik, me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjithë palët e interesit dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e tij. Ne po punojmë që paralelisht të hartojmë të gjithë aktet nënligjore, me qëllim që kurdo që të arrijmë në një ligj final të kemi gati të gjithë infrastrukturën edhe për procedurat e kërkuara nga administrate shtetërore për zbatimin e tij”.
Por pavarësisht këmbanave të alarmit për rreziqet që mbart amnistia, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla përsëriti dhe sot, se nuk ka tërheqje nga ky projekt: “Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale”
Mbetet e paqartë nga ku buron kjo vendosmëri e socialistëve, përsa kohë, projekti, duke parashikuar dhe imunitet ndaj ndjekjes penale, kërkon një shumicë të cilësuar votash për miratim në parlament.
Aministia përfshin deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale. Deri më tani asnjë nga autoritetet nuk ka dhënë shpjegim se si mund të vihet një pasuri deri në 2 milion euro me kursime nga puna. Pikëpyetje të forta janë ngritur dhe mbi aftësinë e institucioneve për të parandaluar që nga kjo nismë të mund të përfitojnë anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht kufizimeve të përcaktuara në projektligj.
Nisma e qeverisë ka hasur dhe në kundërshtime të forta të Dhomës amerikane të Tregtisë, të shumë ekspertëve të fushës, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, vota e të cilëve është e domosdoshme për votimin në parlament./VOA