Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka njoftuar se ekonomia botërore do të përjetojë një nga periudhat më të dobëta të rritjes në dekadat e fundit dhe se rritja do të jetë më pak se tre për qind në vitin 2023.
“Pavarësisht fuqisë së tregut të punës dhe shpenzimeve konsumatore në ekonomitë më të përparuara, si dhe rimëkëmbjes që lidhet me rihapjen e Kinës, ne presim rritje prej më pak se tre për qind për vitin 2023”, u tha drejtoresha menaxhuese e FMN-së Kristalina Georgieva diplomatëve në Uashington raporton Beta.
Raporti i mëparshëm i FMN-së për ekonominë botërore, në fund të janarit, parashikonte tashmë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2023.
Georgieva shtoi se një rritje e tillë do të jetë rreth tre për qind për pesë vitet e ardhshme.
Drejtori i Përgjithshëm i FMN-së tha se prioritet duhet të mbetet lufta kundër inflacionit.
Ajo shprehu shqetësimin për gjendjen e financave publike në shumicën e vendeve, pasi borxhi publik është rritur pothuajse kudo në botë, nën ndikimin e pandemisë së koronavirusit, e më pas edhe për shkak të pasojave të pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas saj, sfidat që duhet të marrin përgjigje janë të rëndësishme, veçanërisht për të mundësuar tranzicionin ekologjik të vendeve në zhvillim, nevojat e të cilave vlerësohen në 1000 miliardë dollarë në vit në vitet e ardhshme.