Numri i të punësuarve në kompanitë call center, dikur oaz për punësimin e të rinjve, ka nisur tkurrjen. Sipas të dhënave të DPT, deri në shtator 2022, në ndërmarrjet call center janë të punësuar 12,404 punonjës, me një rënie prej 18% në krahasim me fundin e vitit 2021.
Shkak i rënies së numrit të të punësuarve është emigrimi i të rinjve dhe mungesa e atyre që flasin gjuhën italiane. Kompanitë e sektorit pohojnë se problematika e mungesës së fuqisë punëtore që nisi pas 2017-s, tashmë këtë vit është kthyer në shqetësimin kryesor të tyre.
Për të rikuperuar humbjet nga mungesa e të rinjve që janë njohës të gjuhës italiane, disa prej kompanive call center, kryesisht të vegjlit, po hapin filiale në Kosovë me punonjës së gjermanishtes.
Në Shqipëri, ky treg është në fazë zgjerimi, por bizneset nuk presin lulëzim të tij, pasi vihet re që prioritet kryesor i atyre të rinjve që flasin gjermanisht është të emigrojnë në Gjermani.
Në anën tjetër, pagat e larta që ofrojnë platformat e palicencuara forex, po shtojnë mungesën e punonjësve në call center.
Aktorët e tregut parashikojnë se në këtë situatë rrezikohet mbyllja e operatorëve të vegjël. Në fillim të këtij viti, një nga kompanitë më të mëdha të sektorit, “Albacall”, mbylli filialin call center në Shqipëri, për shkak të mosmarrëveshjeve për kontratat në tregjet e huaja për të cilat ofrohet shërbimi.
Vështirësia me punësimet në call center, të rinjtë po emigrojnë
Sektori call center mori zhvillim pas vitit 2010, pasi kompanitë italiane e transferuan aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohuritë e gjuhës italiane nga të rinjtë dhe më pas hynë dhe shoqëri nga vende të tjera të Europës (në gjuhën gjermane dhe angleze).
Por, nga viti 2018, të dhënat e tatimeve tregojnë se nisi tendenca rënëse e shoqërive që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Në shtator 2022 kishte 541 subjekte në këtë sektor me një rënie prej 33% në krahasim me fundin e 2017-s, sipas të dhënave nga tatimet.
Sigurimi i burimeve njerëzore, por edhe i atyre të kualifikuar, janë vështirësitë më të mëdha që po përballet sektori. Drejtues të kompanive call center pohojnë njëzëri se arsye e mosgjetjes së fuqisë punëtore është emigrimi i lartë i të rinjve.
Aktualisht, oferta për punësim në sektor është e lartë, por kërkesa është në rënie. Sektori nuk vuan rënien e kontratave të ofrimit të shërbimit call center, ndërsa kanë shtuar llojin e veprimtarisë, si përpunimi i të dhënave, ofrimi i shërbimeve në gjuhën gjermane dhe angleze, por nuk arrihet zgjerimi për shkak të tkurrjes së fuqisë punëtore.
Ervin Gogo, administrator i “Albacontact”, e konsideron gjetjen e fuqisë punëtore, sfidën më të madhe në 18 muajt e fundit për sektorin call center.
Z. Gogo thotë se oferta për punë është e lartë dhe kompanitë kanë kontrata edhe orë pune për rekrutime të reja, por për shkak të largimit të të rinjve nga Shqipëria janë duke luftuar për të qëndruar në treg. Sipas tij, kërkesa për punë është tkurrur 10 herë më shumë se rreth dy vite më parë.
“Kompania jonë operon në 4 gjuhë të huaja dhe në asnjë prej tyre nuk arrin të plotësojë nevojat. Kërkesa për punësim në këta 18 muaj ka rënë 10-fish.
Njoftimeve për rekrutim në rrjete të ndryshme sociale, edhe pse të sponsorizuara në mënyrë të vazhdueshme, u përgjigjen shumë pak punëkërkues. Dhe ata që interesohen shpesh janë të një profili të papërshtatshëm, ose me nivel gjuhësor të pamjaftueshëm.
Jemi duke luftuar të qëndrojmë në treg duke ‘mirëmbajtur’ punën me shpresën për të fituar sa më shumë kohë e që me kohën, emigrimi masiv të ndalojë, dhe të shpresojmë në rikthimin e pjesës dërrmuese të emigrantëve, të cilët në një pjesë të madhe u refuzohet qëndrimi.
Jemi ende në fazën e ikjes së krahut të punës. Mbase fenomeni do të ndalojë brenda 2023 e më pas urojmë të shoqërohet me rikthim”.
Lorenc Goga, nga “Facile.it”, shton se në vitet 2015 – 2017, në kompani ishin 700 të punësuar, ndërsa tani numri i tyre është 300. Kësaj kompanie çdo muaj i nevojitet të rekrutojë minimalisht 20 punonjës të rinj, por në disa muaj, kërkesa është edhe më e lartë.
Sot “Facile.it” nuk po arrin as të zëvendësojë stafin që largohet, ndërsa duket mision i pamundur rritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Ai pohon se arsyeja kryesore është emigrimi i madh i të rinjve.
“Tashmë u bë vite që vuajmë problematikën e gjetjes së punonjësve. Ne kërkojmë njerëz vazhdimisht, por nuk gjejmë. Po ndodh që shumica e të rinjve të ikin jashtë. Kjo është arsyeja pse nuk gjejmë njerëz për rekrutime të reja. Edhe ata që ikin në kompani të tjera është e pamundur t’i zëvendësosh.
Gjetja e burimeve njerëzore këtë vit është kthyer në shqetësim nga problematikë. Kërkesa dhe nevoja në këtë sektor edhe para 5 vitesh ishte shumë e madhe, por kishte njerëz, tani nuk gjen të punësuar. Edhe këta që janë e kanë mendjen të ikin. Emigracioni është kthyer në sëmundje”, pohoi ai.
Problemet me uljen e njohurive të gjuhës italiane
Edhe pse kompanitë kanë rritur kostot me ofrimin falas të kurseve të kualifikimit të gjuhës italiane dhe marketingut për gjetjen e punonjësve, oferta është shumë e lartë në raport me kërkesën e tkurrur, për shkak të emigrimit të të rinjve. Sot të rinjtë nuk po mësojnë më italisht, duke humbur avantazhin kryesor që ka Shqipëria.
Nëse gjenerata e viteve ‘80–‘90 mësuan në mënyrë autodidakte gjuhën italiane, kryesisht përmes ndjekjes së kanaleve televizive italiane, kjo nuk po ndodh te të rinjtë e sotëm.
Për të zbutur sa më shumë mangësinë në njohuritë e gjuhës italiane që kanë të rinjtë, në kompaninë “Icon Albania” ofrojnë kurse falas së gjuhës italiane.
Alketion Cali, administrator i kompanisë call center shpjegon se rekrutojnë staf, të cilët kanë vetëm disa njohuri bazë të italishtes dhe mundohen ta bëjnë rritjen profesionale brenda kompanisë, pasi tashmë është bërë e vështirë që të gjesh të rinj me njohje të mirë të gjuhës. Sipas tij, është reduktuar numri i prurjeve të reja në sektor për shkak të emigrimit dhe rënies së numrit të të rinjve që flasin italisht.
“Janë rritur kostot për ofrimin e kurseve falas për gjuhën italiane dhe marketingut për gjetjen e punonjësve, por fuqia punëtore mungon. Kërkesa ka rënë për shkak të emigrimit. Ne punësojmë të rinj të grupmoshës nga 20 deri në 35 vjeç dhe kjo ka pësuar rënie, sepse kanë emigruar.
Gjithashtu, vetëm një pjesë të vogël të të punësuarve e kemi me kohë të plotë (nga 120 të punësuar, 8 prej tyre janë me kohë të plotë), pjesa tjetër është me kohë të pjesshme.
Ne kemi mundësi t’u plotësojmë orët, por nuk dëshirojnë të punojnë me kohë të plotë. Pas hapjes së ekonomisë në vitin 2020, numri i punonjësve që punojnë më shumë se 4 orë ishte 20 deri në 30% me rënie. Tendenca vijoi të forcohet edhe në këto dy vjet”, thotë ai.
A do të mbijetojnë vetëm të mëdhenjtë?
Kompanitë e vogla të call center janë ato që kanë pësuar më tepër tkurrje të numrit të të punësuarve. Të mëdhenjtë, pas rënies së numrit të të punësuarve në pandemi, kanë nisur rikuperimin me rekrutimet.
Në një prej kompanive më të mëdha të sektorit “Albania Marketing Service” (AMS), numri i të punësuarve në periudhën janar-shtator 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s është rritur 35%. Në 4 vitet e fundit, kompania ka shënuar rënie të numrit të të punësuarve në periudhën e pandemisë në vitin 2020. Më tej rekrutimet janë shtuar.
“Optima Albania” krahasuar me 2019 ka reduktuar numrin e të punësuarve me 45% deri në shtator 2022. Ndërsa krahasuar me vjet, rënia është rreth 22%. Për kompaninë “Sass Tarife”, numri i të punësuarve në periudhën janar-shtator 2022 është reduktuar 62% në raport me 2019.
Për të njëjtën periudhë, krahasuar me vjet, rënia e të punësuarve është 42%. Ndërsa kompania “Wan”, në janar-shtator 2022, ka rritur punësimet 19% më shumë se në vitin 2021.
Aktorë të tregut pohojnë se problemi i mprehtë me fuqinë punëtore pritet të sjellë mbyllje të kompanive të vogla, duke mbijetuar më të mëdhenjtë. Efektet e para kanë nisur të ndihen që këtë vit. Për kontratat e reja, kompanitë mëmë në Itali kanë nisur orët shtesë vetëm për të punësuarit atje, pasi në Shqipëri, fuqia punëtore është tkurrur.
“Jo se nuk duam të punojmë në Shqipëri, por nuk gjenden të rinj për t’u punësuar. Kompania italiane hapi degën e saj në 2012 në Shqipëri dhe për 3 vjet arritëm të sillnim të gjitha shërbimet e Italisë në vend. Por situata shqetësuese me punësimet na kthen vite më parë”, thotë Lorenc Goga.
Për administratorin e kompanisë “Albacontact”, Ervin Gogo, në terma afatshkurtër, problemi duket i pazgjidhshëm për sektorin.
“Kompanitë si tonat janë të destinuara të tkurren, ndoshta duke rrezikuar edhe mbylljen. Nga ana tjetër, qeveria duhet të fillojë me politikat sociale për edukimin e studentëve që pas përfundimit të studimeve ta shohin veten në Shqipëri.
Vetë prindërit sot, të frikësuar nga pasiguria, mungesa e prosperitetit, punësimi me paga të denja, investojnë tek fëmijët, duke i përgatitur që në moshë të hershme për largim nga vendi. Kjo është e tmerrshme për të ardhmen e vendit”, pohon ai.
Zëvendësimi i punëtorëve me të huaj, i pamundur për call center
Ndryshe nga sa po ndodh me sektorë të tjerë të ekonomisë, që për shkak të rënies së punëtorisë po rekrutojnë nga vendet aziatike dhe rajoni, për sektorin call center, zëvendësimi i fuqisë punëtore me të huaj mund të shihet si zgjidhje, por me kontribut të vogël në përmirësimin e situatës, pasi ndërmarrjet punojnë masivisht me italishtfolës.
“Ne jemi ende të lidhur më së pari me tregun italian, dhe vetëm ndoshta 20% e sektorit ka filluar të operojë në gjuhë të tjera. Të huajt që mund të vijnë te ne nuk janë italishtfolës, por anglishtfolës e në rastin më të mirë, frëngjishtfolës.
Më konkretisht, së fundmi jam përpjekur të punësoj shtetas nga Kameruni në gjuhën frënge, por mënyra si kanë hyrë në Shqipëri, ose viza që posedojnë nuk mundëson pajisjen me leje pune. Nuk ka asnjë lloj lehtësie nga institucionet tona për të formalizuar dhe për të normalizuar raportin me këta shtetas”, thekson Ervin Gogo.
Lorenc Goga propozon se shteti duhet të ndërhyjë në politikat fiskale të favorshme për punësimin në këtë sektor që konsiderohet si amortizator social.
“Shteti duhet t’u japë mundësinë e trajnimit atyre që nuk janë 100% të përgatitur për këtë profesion. Për këtë është e nevojshme baza ligjore që do të shërbejë si garanci për sipërmarrësit, me qëllim që për këta punonjës për të cilët do të investohet në kualifikim të mos largohen”.
Hapen filiale të reja në Kosovë
Prej janarit të 2022, kompania “Icon Albania” ka hapur degë në Kosovë për shërbimin call center në gjuhën gjermane për kompanitë e fluturimit.
Alketion Cali, administrator i kompanisë, thotë se 80% e kontratave janë në gjuhën italiane dhe ofrimi i shërbimit në gjuhën gjermane shihet si mundësi për rritjen e punëtorëve.
Përveç avantazhit të taksimit të ulët të pagave që ofron Kosova, hapja e filialeve atje po ndodh edhe për shkak të numrit të madh të të rinjve që njohin gjuhën gjermane.
“Në Shqipëri të rinjtë priren të mësojnë gjuhën gjermane për të emigruar. Në Kosovë, numri i të rinjve që flasin gjermanishten është më i lartë se në Shqipëri, por nuk ka shumë kërkesë të lartë për këtë punë. Për sa i përket taksimit të pagave, tregu në Kosovë është avantazhues, pasi ka taksa më të ulëta.
Politika fiskale e pagave në Shqipëri nuk e favorizon dhënien e bonusit për punëtorët, pasi janë kosto shtesë për kompanitë. Është e domosdoshme që të ndryshojë niveli i taksimit, pasi do të sillte paga më të larta për këtë sektor, por në anën tjetër, do të frenonte largimin e të rinjve nga Shqipëria”.
Sipas Lorenc Goga nga “Facile.it” nuk pritet që tregu i punësimeve në gjuhën gjermane të njohë zgjerim, pasi edhe këtu do të hasen mungesa.
“Disa struktura kanë nisur të punojnë në gjuhën gjermane, por problemi do të jetë kur do të ketë nevojë për 2,000 vetë. Atëherë do të shihet realisht se çfarë ndodh. Do të jetë e pamundur të gjesh punësime të reja, sepse nuk ka njerëz”.
Pavarësisht tkurrjes së numrit të punonjësve, sipas Ervin Gogos, Shqipëria ngelet një vend avantazhues për kompanitë e huaja call center.
“Edhe pse 10 vitet e fundit është rritur kostoja e punës 30%, për arsye nga me të ndryshmet, si: taksimi, lënda e parë, rekrutimi, marketingu, qiratë, rënia e euros kundrejt Lekut, ne ngelemi një vend potencial, sepse gjithsesi edhe në vendet nga ne e marrim punën, kostot janë rritur po ashtu.
Për këto arsye, kundrejt tyre mbetemi një vend me krah më të lirë pune”.