Kostot më elementare të jetesës, të tilla si strehimi dhe shërbimet komunale, u rritën deri në katër herë më shpejt se pagat në të gjithë Bashkimin Evropian vitin e kaluar, sipas të dhënave të Eurostat.
Çmimi i punës për orë është rritur mesatarisht me 4,4 për qind në vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2022, sipas të dhënave më të fundit të Byrosë Evropiane të Statistikave Eurostat, transmeton Beta.
Kur krahasohet rritja e pagave me normën e inflacionit prej 9.2 për qind në BE vitin e kaluar, rezulton se rritja e pagave vitin e kaluar kompensoi vetëm gjysmën e rritjes së kostos së jetesës.
Hendeku midis pagave dhe inflacionit është edhe më i madh kur bëhet fjalë për kostot më elementare të jetesës: strehimi dhe shërbimet komunale (18 përqind e kostove totale) u rritën katër herë më shpejt se pagat, ndërsa transporti dhe ushqimi (12 përqind) u rritën tre herë më shpejt.
Pagat reale, të cilat tregojnë lëvizjen e pagave në raport me inflacionin, ranë vitin e kaluar në të gjitha vendet anëtare të BE-së me një mesatare prej nëntë për qind. Për krahasim, fitimi real u rrit me një për qind, sipas të dhënave të Eurostat.
Të dhënat nga Banka Qendrore Evropiane (BQE) tregojnë se rritja e marzheve të fitimit në 2021 dhe 2022 ishte më e lartë se rritja e kostove të punës për njësi, që do të thotë se rritja e normave të fitimit ka një rol më të rëndësishëm në nxitjen e inflacionit.
Duke komentuar këto të dhëna të Eurostat, Sekretarja e Përgjithshme e Konfederatës së Sindikatave Evropiane, Esther Lynch, vlerësoi se rritja e çmimeve kërcënon standardin e jetesës së punonjësve dhe familjeve të tyre.
“Këto shifra janë dëshmi të mëtejshme se punëtorët janë viktima të inflacionit, jo shkaku i tij. Pas këtyre shifrave janë njerëz të vërtetë që luftojnë për të siguruar ushqim për familjet e tyre, për të ngrohur shtëpitë e tyre dhe madje për të përballuar transportin për në vendin e tyre të punës”, tha Lynch.
Ajo shtoi se rënia e standardit të jetesës së punëtorëve është rezultat i kompanive, veçanërisht ato të sektorit të energjisë dhe ushqimit, që përdorin problemet e furnizimit për të rritur çmimet e tyre dhe për të realizuar fitime rekord.
Sipas saj, “është koha që politikanët të ndalojnë ndëshkimin e viktimave të inflacionit duke ulur pagat dhe të trajtojnë shkakun e vërtetë të inflacionit duke taksuar fitimet e tepërta”.