Kontrolli i zonave kufitare për të shmangur tifozët problematik dhe ekstremistët.
Frika e sulmeve terroriste ka vendosur në lëvizje dhe Gjermaninë. Vendi organizator i kampionatit Europian ka premtuar se do të shtojë kontrollet kufitare në të gjithë kufinjtë e vendit gjatë turneut të kësaj vere.
Në një deklaratë për mediat, ministrja e Brendshme pranoi se do të kryhen kontrolle në të gjithë kufijtë gjermanë gjatë turneut të futbollit “për të qenë në gjendje të mos i lejojmë të futen brenda personat e dhunshëm”.
Përqendrimi i autoriteteve është mbrojtja kundër ekstremistëve islamistë dhe ekstremistëve të tjerë, kundër huliganëve dhe të tjerëve, si dhe t’i sigurojnë rrjetet kundër sulmeve kibernetike.
Kjo është bërë një praktikë standarde për vendet në zonën e lëvizjes së lirë në Evropë, e njohur si Zona Schengen, gjatë ngjarjeve të mëdha sportive dhe samiteve të mëdha. Gjermania është duke kryer kontrolle kufitare tashmë në lindje me Poloninë dhe në jug me Republikën e Çekisë, Austrinë dhe Zvicrën, për shkak të emigrantëve.
Kampionati Evropian do të mbahet nga 14 Qershori deri më 14 Korrik.