Tre gola dhe dy asiste. Ky është bilanci i fundjavës që lamë pas nga futbollistët e kombëtares shqiptare, të cilët dhuruan një tjetër performancë pozitive me klubet e tyre. Superliga turke ka fituar vëmendjen e stafit kuqezi, aty ku aktivizohen disa prej lojtarëve të kombëtares.
Ernest Muçi gjeti golin e parë me skuadrën e tij të re Beshiktash. Sulmuesi 22-vjeçar zhvilloi një super ndeshje në fitoren 2-0 ndaj Istanbulspor, teksa realizoi golin e dytë dhe në fund u shpall lojtari i ndeshjes, i vlerësuar me notën 8.2.
Në kampionatin turk vijon të shkëlqejë Rey Manaj, i cili shënoi golin e radhës në takimin Sivasspor-Pendikspor. Sulmuesi kuqezi realizoi golin e tretë në fitoren 4-1 të Sivasspor, teksa ky ishte goli i 14-të për Manajn në kampionat dhe i 18-ti këtë sezon. Edhe Mirlind Daku gjeti rrugën e rrjetës në sfidën miqësore të Rubin Kazan ndaj Rodina Moscoë. Sulmuesi i Kombëtares realizoi golin e vetëm në humbjen e skuadrës së tij 1-4.
Në Itali, Kristjan Asllani e nisi si titullar me Interin sfidën ndaj Leçes, ku nga minuta e parë ishte një tjetër futbollist kuqezi, Ylber Ramadani. Asllani bëri një paraqitje mjaft të mirë në fitoren e Interit 4-0, teksa asistoi në golin e parë të shënuar nga Lautaro Martinez.
Nedim Bajrami u aktivizua në fillimin e pjesës së dytë në humbjen e Sassuolos ndaj Empolit. Bajrami ishte menjëherë protagonist teksa asistoi në golin e dytë të Sassuolos. Në fund triumfoi Empoli me rezultatin 3-2 ku titullar ishte mbrojtësi i Kombëtares, Ardian Ismajli, teksa portieri Etrit Berisha dhe Stivën Shpendi qëndruan në stol.
Edhe Keidi Bare zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në sfidën e Espanyol në transfertë ndaj Eibar. Keidi Bare ishte titullar përgjatë gjithë ndeshjes duke qenë një ndër më të mirët në këtë sfidë.