Ikja e të rinjve ne emigracion po hidhëron një nga bizneset e ëmbla në vend, atë të tregtimit të sheqerit dhe produkteve të tij. Importet e sheqerit në muajt janar-gusht 2023 shënuan sasinë më të ulët në 7 vitet e fundit.
Në këtë periudhë, sipas të dhënave të Doganave, importet ranë 33% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregtuesit e shumicës pohojnë se shkaqet e rënies së importit janë tkurrja e konsumit nga emigracioni dhe e kërkesës për sheqer nga industria e prodhimit të reçelrave.
Agroindustria e prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës sivjet vuajti mungesën e gjetjes së lëndës së parë së frutave.
Për këtë arsye, drejtuesit e fabrikave thanë se prodhuan 50% më pak se vjet. Shkak i rënies së prodhimit të pemëve në vend për agronomët ishte lagështira tejet e lartë gjatë stinës së pranverës.
Përfaqësues të sektorit të agroindustrisë ngrenë shqetësimin se tashmë, prodhimtaria e pemëve ka hyrë në ciklin e rënies, pasi mungesa e subvencioneve dhe çmimit të shitjes së frutave nën kosto kanë shtuar pasigurinë te fermeri deri në humbjen e interesit të tij për mirëmbajtjen e pemëve.
Përpunuesit parashikojnë se dëmet e së kaluarës në sektorin e bujqësisë do të jenë të pariparueshme, pasi mungesa e fuqisë punëtore dhe emigracioni i fermerëve të rinj mbetet në nivele të larta.
Importet e sheqerit thellojnë rënien
Në vitin 2022, importet e sheqerit, sipas të dhënave të Doganave, u ulën 2% krahasuar me vitin 2021. Tendenca e rënies vijoi edhe gjatë 2023. Në muajt janar-gusht 2023 u importuan 28,8 milionë kg sheqer.
Krahasuar me vjet, sasia e importuar për 8-mujorin ra 33%.
Kjo është sasia më e ulët e importuar për vitet 2017-2023.
Një ndër tregtuesit me shumicë të sheqerit pohoi për “Monitor” se në janar-gusht 2023, kërkesa ra me 20% krahasuar me vjet. Arsyeja e rënies në sektorin e tregtimit me pakicë të sheqerit, sipas tij, u ndikua nga emigracioni.
Drejtuesit e kompanisë nënvizojnë se importi për këtë vit u shtua, pasi u planifikuan blerje të larta, ndërsa konsumi nuk shënoi rritjen e parashikuar. Çmimi i produktit krahasuar me vjet është ulur 16%.
“Konsumi për produktin e sheqerit është në rënie, për shkak të largimeve të popullsisë në emigracion, sidomos në rrethe dhe zonat rurale. Prisnim rritje të kërkesës nga industria e prodhimit të reçelrave në muajin gusht, që përkon me sezonin e prodhimit, por edhe nga industria përpunuese, kërkesa këtë vit pati rënie.
Për shkak të tendencës së 8-mujorit nuk parashikojmë që për muajt në vijim konsumi të rritet”, pohuan drejtues të kompanisë.
Ndërsa Eleni Babameto, nga kompania “Teuta”, që importon një sërë produktesh ushqimore pohoi më herët për “Monitor” se kuotat e shitjes së sheqerit deri në muajin korrik ishin të njëjta krahasuar me vitin e kaluar.
Industria e reçelrave dhe kompostove përgjysmon prodhimin
Për drejtuesit e fabrikave të prodhimit të reçelrave dhe kompostove, sivjet situata e prodhimit të pemëve rezultoi alarmante, e ndikuar nga kushtet e papërshtatshme klimatike.
Mungesa e prodhimit te drurët frutorë solli reduktim të prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës.
Drejtuesi i një prej fabrikave të prodhimit të reçelit në Berat u shpreh për “Monitor” se krahasuar me vjet, prodhimi për reçelin dhe komposton është 50% më pak.
Arsyeja kryesore e përgjysmimit të prodhimit, sipas tij, mbetet mungesa e gjetjes së lëndës së parë.
Mungesa e lëndës së parë e penalizoi kompaninë edhe për kontratat e eksportit, pasi nga sipërmarrësit e huaj kërkohet sasi e lartë produktesh që nuk arrin të garantohet.
Rënia e ofertës së lëndës së parë vendase rrit ndjeshëm çmimin e frutave që përdoren nga industritë përpunuese. Rritja e çmimeve shtrenjtoi edhe kostot.
Sipas drejtuesve të fabrikave, çmimi i varietetit të kumbullës “tropojane” më e përdorura nga agroindustria përpunuese për prodhimin e reçelit, u tregtua nga fermerët nga 30 deri në 50 lekë për kg që varionte vjet, në 80 lekë deri në 100 lekë për kg.
Nevion Telha, agronom në zonën e Korçës, pohoi për “Monitor” se prodhimi i pemëtarisë sivjet është reduktuar, pasi në periudhën e lulëzimit të gjitha pemët u prekën nga lagështira e lartë.
Rajoni i Korçës është shumë i përshtatshëm për prodhimet bujqësore, sidomos zona e Pojanit kultivon disa variete kumbullash që shërbejnë si lëndë e parë për agroindustrinë.
Z. Telha nënvizon se nga 8,000 deri në 10,000 ha tokë të mbjella të zonën e Korçës me varietetin e kumbullës “tropojane”, vetëm 20 ha patën prodhimtari.
“Në kushtet e motit me lagështirë tejet të lartë gjatë stinës së pranverës dhe fillimi i verës, prodhimi i shumë llojeve të pemëve u dëmtua. Qershitë këtë vit u kalbën në pemë, ndërsa kumbullat prodhuan sasi tepër të vogël.
Veçanërisht varieteti i kumbullës “tropojane”, që pothuajse shitet tërësisht për industrinë agropërpunuese, u prodhua në 20 ha nga 10,000 ha të mbjella në të gjithë zonën.
Vitin tjetër parashikojmë stabilizimin e prodhimit, pasi lënda rezervë që ushqen lastarin e bimës, frutën dhe gjethen është më e lartë për shkak të lagështirës”, theksoi ai.
Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, thotë se prodhimi i fruta-perimeve i destinuar si lëndë e parë për agropërpunim si reçel, liko, lëngje të ndryshme, komposto, marmelatë, nuk është ulur këtë vit krahasuar me vitin e kaluar.
“Vështirësia e furnizimit me lëndë të parë për këtë industri ka ardhur për shkak të rritjes së konsumit të tyre, si produkte të freskëta, rritjes së kostos së krahut të punës në vjelje, çmimit të transportit, të energjisë elektrike dhe lëndëve ndihmëse”.
Z.Rrapaj thotë se shtimin e prodhimit në agropërpunim e pengon konkurrenca e pandershme nga importi, çmimet e larta të karburantit, energjisë elektrike, ambalazhit, mungesa e mekanizimit në vjelje të këtyre produkteve, si dhe paketa fiskale e padobishme./ Monitor