“Gjuha shqipe futet zyrtarisht në Universitetin e Harvardit”! “Moment historik”! Shqipja futet zyrtarisht në Harvard”, këto ishin tituj që qarkulluan sot në mediat online në një pjesë të konsiderueshme të portaleve, përfshirë edhe ato që mund të renditen në listën e “portaleve prestigjoze”, mirëpo një lajm i tillë sado euforik dhe patriotik mund të ketë rezultuar për këdo nuk është aspak i vërtetë.
Kur themi nuk është i vërtetë, ka të bëjë me faktin jo se gjuha shqipe nuk është në Harvard, por nuk rezulton të jetë gjë tjetër veçse se një lajm i ricikual që i përket një viti më parë, më konkretisht në maj të 2022.
Për ata që nuk kanë mbaruar gazetari, një nga gjërat kryesore që u mësohet studentëve sapo ulen në bankat e shkollës është “elementi kohë”. Një lajm gjithmonë duhet të ketë kohë, ose e thënë më thjesht të jetë një ngjarje e sapo ndodhur, për të cilën nuk dihej apo nuk kishte informacion për të më parë. Që nga ky element na mjafton për të kuptuar që në rastin konkret nuk ka asnjë lajm.
Mjaftoi një gabim i bërë nga një media, që mund të ketë ardhur nga injoranca e të ashtuquajturit gazetar apo dëshira për klikime, pasi jo pak njerëz entuziazmohen nga një lajm i tillë, që ai të përhapej si kërpudha pas shiut edhe në portalet e tjera dhe ajo që është për të ardhur keq është se bëhet fjalë për një tekst pothuajse identik te të gjitha mediat, e askush nuk ka bërë një kërkim fare të thjeshtë në google, për të shkuar përtej.
Si qëndron e vërteta?
Në ndryshime nga këto portale, VesaNews e bëri një kërkim të tillë në motorët e kërkimit ku na rezultoi se lajmi është bërë publik në maj të 2022. Studentët e Universitetit të Harvard-it kanë pasur mundësinë që të mundësinë të zgjedhin gjuhën shqipe për të studiuar para një viti. Ka qenë vetë Faton Limani, i cili punon si administrator departamenti në këtë universitet që dha lajmin.
“Sot kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm shumë të gëzueshëm sa i përket gjuhës sonë shqipe. Në bashkëpunim me bashkëkombasen dhe kolegen Eva Stathi – Misho kemi arritur që të fusim lëndën e gjuhës shqipe si lëndë zgjedhore për herë të parë në Universitetin e Harvardit për të gjithë studentët e të gjitha niveleve. Lënda e gjuhës shqipe do të ofrohet gjatë tërë vitit në tre nivele – njohuri fillestare (elementary), njohuri bazike (intermediary) dhe niveli i avancuar (advanced) në Departamentin e Letërsisë Krahasuese”, tregoi asokohe në Facebook Limani.
Në vitin 2020, katër studentë kanë marrë titullin master në gjuhën sllave, baltike dhe shqipe nga Harvard-i. Kjo e bën atë shkollën e gjashtë më të njohur për kandidatët për master në gjuhën sllave, baltike dhe shqiptare në vend./B.K