Partia Vëllezërit e Italisë, e cila është në rrugën për të fituar zgjedhjet parlamentare të kësaj të diele, pezulloi një nga kandidatët e saj të martën pasi u zbulua se ai kishte lavdëruar diktatorin Adolf Hitler në mediat sociale.
Kjo është raportuar nga agjencia Reuters.
La Repubblica publikoi një koment në rrjetet sociale këtë javë nga kandidati i partisë Calogero Pisano, të cilin e kishte shkruar 8 vjet më parë. Në koment, Pisano shkroi për Hitlerin si një “burrë shteti të madh”.
Pisano, i cili kandidoi për postin në ishullin e Siçilisë, lavdëroi gjithashtu një përdorues në një postim të vitit 2016 që e quajti udhëheqësen e Vëllezërve të Italisë, Giorgia Meloni, një “fashiste moderne”.
Pisano shkroi se “Vëllezërit e Italisë” “nuk i fshehën kurrë idealet e tyre të vërteta”.
Në përgjigje, “Vëllezërit e Italisë” thanë se Pisano “nuk përfaqëson më partinë në asnjë nivel”.
Vetë Pisano kërkoi falje duke thënë se “disa vite më parë kam shkruar gjëra krejtësisht të gabuara”. Ai i fshiu këto postime pak kohë më parë.
“Vëllezërit e Italisë” pritet të fitojnë zgjedhjet parlamentare të 25 shtatorit dhe të udhëheqin aleancën e partive të djathta drejt një fitoreje komode.
Partia “Vëllezërit e Italisë” i ka rrënjët në një organizatë neofashiste të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Megjithatë, udhëheqësja e saj Georgia Meloni, e cila pritet të bëhet kryeministrja e ardhshme, përpiqet të distancohet nga e djathta ekstreme dhe thotë se partia e saj është konservatore kryesore.