Një fëmijë 3-vjeçar është deklaruar i humbur në Policinë e Durrësit. Fëmija jetonte me nënën e tij, ndërsa babai i kishte ndërruar jetë një vit më parë në një aksident rrugor. Denoncimi në polici është bërë nga nëna e fëmijës.
Fëmija kishte shkuar tek gjyshërit, prindërit e të atit, por prej 4 ditësh nuk gjendet. Kjo ka bërë që nëna ta denoncojë rastin në polici, e cila fillimisht ka shoqëruar gjyshin e fëmijës Rexhep Gunin 58 vjeç. Ky i fundit pretendon se fëmija ka shkuar tek të afërmit në Kukës, por nuk gjendet as atje në adresën e dhënë. Ndërkohë në kërkim është shpallur gjyshja e fëmijës 3-vjeçar.
Nëna ka bërë denoncimin, pasi ish-vjehrri nuk i përgjigjej në telefon, por në polici deklaroi se ish-vjehrrit e merrnin djalin e merrnin rregullisht, për disa orë në fundjavë. Mamaja thotë se ka 4 ditë që nuk di se ku e ka fëmijën.
“Dua djalin! Kam 4 ditë që nuk e shoh. Nuk e di nëse është mirë apo jo. Nuk e di pse e kanë bërë ish-vjehrrit e mi këtë gjë pasi unë asnjëherë nuk i kam ndaluar që ta takojnë djalin” thotë mamaja me lot në sy.
Ndërkohë nëna thotë se gjyshi, gjyshja dhe xhaja i fëmijës mund të jenë shkaktarët që e kanë sajuar këtë situatë për të marrë fëmijën. Ajo shtoi për mediat se marrëdhëniet e saj me vjehrrin dhe vjehrrën nuk kanë qenë të mira që kur ndërroi jetë bashkëshorti i saj.
Sipas burimeve në polici, ka dyshime se fëmija mund të jetë marrë dhe larguar jashtë shtetit. Ndërkohë është dhënë sinjal të ruhen pikat kufitare. Gjyshi nuk pranon të bashkëpunojë me policinë dhe ka heshtur.