Një nga shtyllat kryesore të programeve elektorale të 2 prej kandidatëve kryesor për Bashkinë e Tiranës, është transporti publik. Kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi ka premtuar se do të bëjë transportin publik falas. E për këtë, risjellë në vëmendje se disa shtete e kanë vënë në zbatim këtë projekt duke e konsideruar si krejtësisht të realizueshëm.
Nga ana tjetër, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas 8 viteve si “i pari i qytetit” ka premtuar për një sistem të ashtuquajtur ‘Bus Rapid Transit’ duke thënë se Unaza do të kryhet për 20 minuta. Mirëpo, pse po përqendrohet kaq shumë politika te Transporti Publik?
Referuar të dhënave të sjella nga vetë Bashkia rreth 200 mijë veta përdorin autobusë. Me një logjikë të thjeshtë, një pjesë e konsiderueshme e 200 mijë personave janë votues dhe pa dyshim ky premtim për përmirësimin e cilësisë së transportit Publik është një “karrem” për të marrë sa më shumë vota në këtë target grup. Mirëpo sa të zbatueshme janë këto premtime? A do duhet t’i besojmë?
Në një kohë kur premtimi i Këlliçit duket paksa utopike dhe i Veliajt dyshues për faktin se pse nuk e ka bërë gjatë 8 viteve që ka drejtuar Bashkinë, VesaNews ka bërë një vëzhgim në Tiranë, ku ka parë se si paraqitet situata në terren. Ajo që të tërheq më së shumti vëmendje është fakti se në shumë pikë ndalesa të autobusit mungon një stacion sipas standarteve europiane.
Siç mund ta shihni në këto foto të shkrepura në VesaNews, qytetarët do duhet të rrinë në diell e në shi, të presin me minuta të tëra në këmbë pasi nuk kanë asnjë stol ku të ulen. Nëse kanë pak “fat” mund të jenë afër disa shkallëve që të pushojnë ndërkohë që presin autobusët që vijnë orar pa orar. Nga ana tjetër, për dikë që nuk i di stacionet e autobusëve, e ka të vështirë për t’i gjetur. E vetmja që mund t’i orientojë mund të jenë turmat e njerëzve që janë në pritje. Tabelat orientuese janë diku të fshehura pas pemëve ose nuk ka fare.
Ajo që të bën përshtypje është se përse kandidatët do duhet të bëjnë premtime kaq të mëdha si “tramvaj-i” i famshëm dhe nuk ndalen dhe të bëjnë një analizë të probleme të transportit publik, disa prej të cilave jua sjellim ne.
Së pari, mungesa e një korsie dedikuar për autobusë që do sillte që të kishte orare fikse të linjave. Së dyti, të gjithë autobusët kalojnë në qendër, duke krijuar një kaos dhe shtim të trafikut. Së treti, mungesa e kushteve. Të gjithë që kanë udhëtuar qoftë edhe njëherë në autobus, e dinë shumë mirë se në ditët e nxehta të udhëtosh në autobus është si një “saç ku piqesh nga i nxehti”, kondicionerët ose nuk ndizen për të kursyer në skenarin më të mirë, ose nuk punojnë fare në skenarin më të keq. E njëjta gjë edhe kur bie shi, ku jo pak raste, disa vende mund të lihen bosh për shkak se aty është futur uji brenda. Së katërti, mosardhja në orar ndikon që autobusët të tejmbushen përtej çdo kapaciteti, si “sardele në konserva”. Pamjet e udhëtarëve që varen në dyert e autobusit, të gjithë i kemi parasysh. Së pesti, të garantohet një transport publik 24 orë, siç ndodh në vendet europiane. Së gjashti, edhe një stacion autobusi ku të paktën “të fusim kokën” që të na e bëjnë pak më të lehtë pritjen, nisur nga fakti që ky lloj transporti përdoret nga të moshuar, fëmijë, gra shtatzënë…
Kaq kërkojmë, jo tramvaje, as autobus falas e aq më pak “autobus si avion”…mos janë shumë?/Bruna.K