Dështimi për të ngritur lart trofeun e Ligës së Kampionëve pritet të shkaktojë revolucion te Interi. Zikaltërit synojnë që të rikthehen sërish në finalen e turneut Europian. Marcelo Brozovic duket se do të jetë ai i sakrifikuari, me mesfushorin kroat që ka tërhequr edhe interesin e disa klubeve. Arabia Saudite është shndërruar në pistë për shumë lojtarë dhe përjashtim nuk bën as Brozovic. Inter është i gatshëm për të dëgjuar ofertat për 30-vjeçarin. Skuadra nga Milano synon të paktën 25 milionë euro nga shitja e tij, ndërsa një largim i mundshëm do krijonte hapësira për Kristjan Asllanin.
Mesfushori i kombëtares shqiptare nuk ka gjetur hapësirat e duhura në këtë sezon dhe nga largimi i Brozovic do të kishte mundësinë për të treguar nga talenti i tij. 15 milionë eurot e shpenzuara për kartonin e shqiptarit duhet të japin edhe produktin e duhur, duke rritur kështu kredencialet e Asllanit për minuta. Por ëndrra e madhe e Simone Inzaghit është padyshim mesfushori, Sergej Milinkovic-Savic. Edhe pse me një vit kontratë, serbi vlerësohet me rreth 50 milionë euro nga Lazio, shifër që Inter nuk është gati për ta paguar të paktën për momentin.