Kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Durrës, në kuadër të Ligës së Kombeve. Shqipëria do të sfidojë Izraelin, në ndeshjen që do të luhet ditën e shtunë në orën 20:45, teksa ekipi i Edi Rejës do të mbyllë sot përgatitjet, për t’u nisur nesër në mëngjes drejt Tel Avivit.
Në seancën e djeshme grupi ka qenë i plotë, teksa lajmi i mirë është rikthimi me pjesën tjetër të lojtarëve të Myrto Uzunit. Sulmuesi duket se është përmirësuar dhe e ka kaluar dëmtimin në kavilje.
Me kthimin e Uzunit, trajneri Edi Reja ka dërguar sërish te skuadra U-21 sulmuesin Eljon Toçi, i cili shihej si zëvendësues i Uzunit nëse beratasi nuk do t’ia dilte. Ndërkohë, seanca ka vijuar normalisht, ku italiani është qartësuar më shumë në kokën e tij se me cilët lojtarë do të zbresë në fushë, pasnesër në Izrael.
Duket si e pabesueshme, por trajneri i Kombëtares Edi Reja ka vendosur që këtë ndeshje të ndryshojë skemën që ai aplikon. Kështu që nuk do të përdoret një 3-5-2, siç e kemi parë në mbi 90 për qind të rasteve të luajë Shqipëria, por Reja është “dorëzuar” dhe do të kalojë në një 4-3-1-2. 76-vjeçari ka vendosur që ta nisë me katër lojtarë mbrapa.