Detaje të reja janë zbardhur nga krimi i dyfishtë i ndodhur një natë më parë në Gryk Zezë të Lezhës. Autori i ngjarjes Besnik Pjetri nga fshati Troshan ishte babai i dy vajzave dhe prej 6 vitesh ishte divorcuar me bashkëshorten.
Gjatë kësaj kohe ai kishte patur konflikte të vazhdueshme me të dhe familjen e saj, madje ishte denoncuar nga ish-gruaja në Itali dhe kishte bërë 2 vite burg.
Duket se Pjetri fajësonte ish-vjehrrin dhe ish-kunatin e tij për ngjarjen dhe kur ka marrë vesh që këta ishin kthyer nga Italia i ka vrarë të dy.
Sipas policisë Besnik Pjetri ka shkuar natën e kaluar në banesën e Pjerin Përjakut dhe ka qëlluar me armë duke lënë të vdekur ish-vjehrrin dhe djalin e tij Gent Perjaku.
Dy viktimat ditën e djeshme ishin kthyer nga Italia. Ndërkohë autori pas ngjarjes është larguar menjëherë. Policia ka ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën dhe po punon për kapjen e autorit.
NJOFTIMI I POLICISË:
Rreth orës 23:00, në fshatin Grykë Zezë në Lezhë, ka ndodhur një krim në familje, ku dyshohet që shtetasi B.P., ka vrarë me armë zjarri shtetasit P.P. dhe G.P. ( babë e bir), tek banesa e tyre, për shkak të një konflikti familjar. Autori i dyshuar ka qenë pjesë e asaj familje, ish dhëndër i tyre dhe konflikti dyshohet se ka ardhur pas divorcit mes çiftit. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit B.P. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon punën hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.