Arsenali u mund në Roterdam nga PSV 2-0, duke mos siguruar dot kualifikimin në të 16-at e Ligës së Europës.
“Topçinjve” u duhej 1 pikë, por u ndëshkuan nga golat e Vermand dhe Frenkie de Jong. Anglezët duhet që ta fitojnë sfidën e radhës ndaj Cyrihut, që të vazhdojnë garën.
United fitoi pa problem ndaj Sherifit në “Old Trafford” 3-0 me gola të Dalot, Rashford dhe Cristiano Ronaldos. Për yllin portugez, ky ishte goli i 701 në karrierë.
Që “Djajtë e kuq” të kualifikohen direkt, duhet që të fitojnë ndaj Real Sociedad javën e ardhshme në Spanjë, me një diferencë me dy gola
Pas fitores 2-1 ndaj Helsinkit, Romës do t’i duhet një fitore tjetër për të siguruar vendin e dytë në Grupin C. Italianët kaluan të parët në avantazh me anë të Abrahamit, ndërsa për finlandezët barazoi Hetemaj. Triumfi erdhi nga autogoli Hoskonen.
Në takimin e fundit, verdhezinjtë do të presin Ludogorets-in, me të cilët kanë humbur në takimin e parë në Bullgari.
Tri pikët e çojnë në play-off skuadrën e drejtuar nga Mourinho që do të ndeshet me një nga rivalet që ka dalë e treta në Ligën e Kampioneve. Lacio mundi në Romë Midtjylland 2-1. Danezët kaluan në avantazh me Isakson, por bardhekaltrit u përgjigjën me Sergej Milinkovic-Savic dhe Rodriguez. Bardhekaltërve tani i duhet vetëm një pikë ndaj Feyenoord në Roterdam për të siguruar kalimin e turit, kurse fitorja vendin e parë./ Klan News