Gjykata e Posaçme ka nxjerrë nga qelia administratorin e kompanisë, ‘DRICONS’, 73-vjeçarin Vladimir Topin, duke vendosur për të masën e sigurisë ‘’arrest shtëpie’’ për shkak të moshës së thyer.
Ndërsa për inxhinierin e kompanisë, Silvi Shehu, i cili mori shumën e parave për t’ia dhënë dy zyrtareve të Ministrisë së Shëndetësisë, u vendos arrest në burg. Si Vladimir Topi, ashtu edhe inxhinieri Silvi Shehu akuzohen se i dhanë ryshfet Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duro dhe specialistes Laura Shteto.
Një ditë më parë, Joana Duro dhe Laura Shteto u lanë në arrest në burg nga GJKKO për korrupsion. Kompania ‘Dricons’ u shpall fituese e tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë pasi Vladimir Topi dha 330 mijë lekë Joana Duros në mënyrë që kompania të shpallej fituese për tenderin.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, pas hetimeve, rezulton se ka qenë Vladimir Topi, i cili i ka dhënë Duros 330 mijë lekët që ta favorizonte në tenderin e hapur nga Ministria e Shëndetësisë. Rolin e sekserit e ka kryer inxhinieri i kompanisë, Silvi Shehi, që ia ka dorëzuar paratë Laura Shtetos, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.
Ndaj Vladimir Topit dhe inixhinierit të kompanisë së tij, rëndon akuza për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim.