Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist, Alqi Bllako, do të përfitojnë uljen e 1/3 të dënimit për sa i përket aferës korruptive për inceneratorin e Fierit. Po ashtu Gjykata e Posaçme në seancën e sotme, ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar edhe për 14 të pandehur të tjerë, ndërsa gjykim normal do të kenë Etleva Kondin, Arenc Myrtezanin dhe italiani Giuseppe Ciafaglione.
Me pranimin e Gjykimit të Shkurtuar apo siç njihet ndryshe si gjykim i posaçëm, në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak dhe eviton marrjen e provave të reja në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to.
Për sa i përket inceneratorit të Fierit, pretenca nga SPAK do të jepet më datë 12 qershor për të pandehurit ku do të kërkohen edhe vitet e burgut sipas akuzave që rëndojnë mbi ta.
Kujtojmë se në pretencën ndaj të akuzuarve për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkoi nga 10 vjet burg për Lefter Kokën, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton si dhe 4 vjet heqje lirie për ish deputetin Alqi Bllako. Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit në përfundim të procesit gjyqësor, duke u dënuar përkatësisht me 6.8 vjet heqje lirie për Kokën, Mërtirin e Zoton dhe 2.8 vjet burg për Alqi Bllakon.