Ditën e sotme Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim babain e Florenc Çapja, një personazh i njohur për blutë. Arsyeja e shpalljes në kërkim është pasi në biznesin e Fejzulla Çapjas, një servis makinash, është gjetur një mjet i vjedhur. BalkanWeb ka siguruar pamjet nga biznesi.
Florenc Capja është në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e at e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012. Lidhur me këtë ngjarja është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja.
Për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit janë arrestuar edhe Jorgo Leku alias Olsi Leka, i cili u prangos në Athinë më 11 Tetor 2020; Etien Cani i cili u ekstradua nga Italia në Shqipëri po në vitin 2020 si dhe Ervis Bardhi.
Gentian Beqiri u qëllua për vdekje më 15 Gusht 2012 në banesën e tij kur ndodhej në ruajtje nga policia në gjendjen e “arrestit të shtëpisë”. Beqiri ishte dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Po atë ditë u dhunua edhe babai i tij Nezir Beqiri i cili ndërroi jetë.