Nga Julian Deda
Kjo është pyetja që më kanë bërë më shpesh, pasi vendosa të garoj në primare të PD për bashkinë e Tiranës. Disa me termin “aktor humori”, disa thonë “komedian” dhe disa të tjerë “humorist”, secili sipas mënyrës së vet.
Asnjëri nga këto terma nuk më komplekson, përkundrazi më bën të ndjehem krenar, se imagjinoni sikur të më quanin “hajdut”, “i korruptuar” apo “mashtrues”. Kështu me spaletat e punes time 20-vjeçare nuk mund të ndjej veçse krenari.
Po pse jo?!
Unë kam gati 20 vjet karrierë në profesionin tim. Jam munduar të jap më të mirën time. Sigurisht është shumë e vështirë të besh diçka që t’i pëlqejë të gjithëve, diku ka vërejtje, diku komplimenta apo fjalë të mira, por nëse do t’i vendosnim një emërues të përbashkët të punës sime, ai do ishte PASIONI për t’i shërbyer publikut!
Shërbim të cilin e kam bërë pa hile, pa intriga e pa i futur shkopinj nëpër rrota askujt. Unë kam respektuar dhe vlerësuar çdo ditë punë, çdo skeç, çdo batutë, çdo partner në skenë, çdo bashkëpunëtor jashtë skene dhe sidomos çdo spektator.
Nuk ka qenë e lehtë edhe pse ka qenë një udhëtim i jashtëzakonshëm! Të bësh humor duhet të jesh shumë serioz në atë që bën. Serioziteti është pjesa më e rëndësishme e punës sonë, të cilin duhet ta shoqërosh me pasion dhe profesionalizëm. Në të kundërt aktiviteti skenik nuk zgjat as 6 muaj dhe jo më gati 20 vjet, javë për javë, në prime time, në tre televizonet më të mira në Shqipëri.
Kam punuar çdo javë, me mish e me shpirt për t’ju argëtuar, për t’ju dhuruar një të qeshur apo për të merituar çdo duartrokitje, dhe nuk është kollaj, duke patur parasysh nivelin e lartë të stresit që përjetojmë çdo ditë. Në të njëjtën formë kam dëshirë të luftoj, që gjithë ato duartrokitje të kthehen në mbështetje, për këtë hap të ri në jetën time.
Një aktor humori, është i sinqertë dhe i ndjeshëm, me të njëjtën ndjeshmëri dhe sinqeritet dua të jem afër jush, për çdo shqetësim apo vështirësi që të keni.
Një humorist është i drejtpërdrejtë, me të njëjtën mënyrë dua të jem para jush në çdo situatë.
Një komedian është një shërbëtor fantastik i publikut të tij, ashtu kam dëshirë të jem ndaj jush, të shërbej në plot kuptimin e kësaj fjale.
Një komik di të dëgjojë mirë, ashtu kam dëshirë t’ju dëgjoj për çdo sugjerim që keni.
Një aktor humori është shumë familjar me publikun, ashtu dua të jem me ju, pjesëtar i familjeve tuaja, siç kam qenë deri më sot.
Një komedian nuk e duron dot padrejtësinë, vjedhjen, shpifjen, shpopullimin, stresin, mashtrimin, shtirjen, shtetarin e korruptuar, fyerjet ndaj simboleve kombëtare, ndasitë, tradhtitë, mjerimin dhe sidomos talljen me popullin e tij, përkundrazi i përçmon dhe i dënon.
Prandaj shpesh këto fenomene i godasim me materialet tona, sepse humori, kur nuk është i shitur, është i drejtë dhe godet!
Një aktor humori nuk është engjëll mbi tokë, nuk është qenie perfekte, por është një njeri i dashuruar me njerëzit dhe me vendin e tij, për të cilët ai ve në dispozicion gjithë talentin, pasionin, punën, karakterin, fytyrën, pra gjithë qenien e tij në shërbim të publikut.
Unë nuk e kam ndarë aktivitetin tim si aktor nga angazhimi në jetën publike, edhe pse kjo shpesh më ka sjellë kosto të caktuara. Sepse shoqëria jonë jo rrallë herë preferon sehirxhinjtë dhe jo ata që mbrojnë kauza. Sepse propaganda e do aktorin si fasadë, ndërsa unë besoj se artisti merr vlerën maksimale kur bashkohet me njerëzit.
Për mua njerëzit janë më të rëndësishëm se pushteti, unë besoj se pushteti nuk mund të jetë më i fortë se njerëzit, e sot unë nuk kërkoj pushtet. Unë sot kërkoj një mundësi për të qenë zëri dhe imazhi juaj në zyrën që i ka shkëputur kontaktet me qytetin.
Pra, “pse jo një aktor humori?”, është edhe pyetja dhe përgjigja në të njëjtën kohë.